KE nuk e përjashton mundësinë e pezullimit të vizave për Serbinë

12:26 | 14 October 2022

Ylva Johansson nuk e përjashton mundësinë që Komisioni Evropian të nisë një mekanizëm për pezullimin e vizave për Serbinë.

Kjo për shkak se vendi nuk e harmonizon politikën e vizave me Bashkimin Evropian (BE), që konsiderohet si një nga arsyet pse Evropa po përballet me një valë të re emigrantësh.

“Shpresoj dhe mendoj se Serbia dhe partnerët e tjerë të Ballkanit Perëndimor do të bashkëpunojnë me ne dhe do të harmonizojnë politikën e tyre të vizave me BE-në. Por sigurisht që pezullimi i vizave nuk është diçka që do ta përjashtoja. Megjithatë, mendoj dhe shpresoj se do të kemi një bashkëpunim të mirë”, tha Johansson,

Këto deklarata ajo i bëri para takimit të ministrave të brendshëm të vendeve anëtare të BE-së, që po mbahet në Luksemburg, ku si temë kyçe do të diskutohet problemi i të ashtuquajturës rrugë ballkanike, për shkak të rritjes së numrit të emigrantëve pa dokumente. të cilët po përdorin rajonin për të arritur në territorin e BE-së.

Mekanizmi i pezullimit të vizave i jep BE-së mundësinë për të pezulluar përkohësisht përjashtimet e vizave për vendet jo anëtare të BE-së, në rast të një rritje të konsiderueshme të migrimit të parregullt nga vendet partnere, shkruan Aljazeera, transmeton Klankosova.tv.

Problemi i Serbisë është theksuar veçanërisht në periudhën e fundit në mesin e vendeve të BE-së, sepse konsiderohet se qytetarët e të ashtuquajturave vende të treta, të cilët gëzojnë një regjim pa viza me Serbinë, e përdorin këtë vend për të arritur në Evropë.

Në dokumentet zyrtare, BE-ja rregullisht nënvizon domosdoshmërinë që Serbia të harmonizojë politikën e vizave me politikat e Bashkimit.

Johansson vuri në dukje se vendet kandidate pritet që gradualisht të përafrohen me politikën e vizave dhe se harmonizimi duhet të përfundojë në momentin kur këto vende të bëhen anëtare të plota të Unionit.

Komento: