Moise Kean ka bërë një veprim që ka alarmuar ekipin e Evertonit.
Klubi anglez Everton është tronditur nga imazhet që kanë qarkulluar në media ku tregojnë se si reprezentuesi i Italisë, Moise Kean ka thyer masat kufizuese të qeverisë duke organizuar një festë në shtëpi, shkruan agjencia Reuters.
Sulmuesi 20-vjeçar, që i është bashkuar Evertonit nga Juventusi verën e kaluar, siç është raportuar në mediumet britanike kishte filmuar veten duke organizuar një festë në apartamentin e tij.
“Everton Football Club është tronditur me të kuptuar një incident ku një lojtar i skuadrës së parë ka injoruar udhëzimet qeveritare dhe ato të klubit në lidhje me krizën e koronavirusit. Klubi ia ka shprehur dëshpërimin lojtarit dhe lojtarit i është bërë e qartë se veprimet e tilla nuk janë të pranueshme. Evertoni vazhdimisht ka cekur se është e rëndësishme të ndiqen gjitha direktivat qeveritare”, është thënë në komunikatë të klubit.
Kean rrezikon gjobë deri 115 mijë euro.
Futbolli britanik është pezulluar nga mesi i marsit për shkak të pandemisë COVID-19. Në Britani nga koronavirusi janë regjistruar së paku 20 mijë të vdekur. Rikthimi i futbollit në rastin më të mirë të mundshëm do të ndodhë në mesin e qershorit.
Kean nuk është lojtari i vetëm që ka thyer rregullat. Mbrojtësi anësor i Manchester Cityt, Kyle Ëalker është dënuar nga klubi pasi në mediume britanike ishte raportuar se ai ka organizuar një festë në apartamentin e tij me dy prostitute.
Ëalker kërkoi falje për veprimin, duke thënë se ka zhgënjyer familjen, shoqërinë, klubin, tifozët dhe publikun. Po ashtu rregullat kufizuese ishin thyer edhe nga Serge Aurier, Moussa Sissoko të Tottenhamit, ndërsa trajneri i klubit Jose Mourinho po ashtu kishte shkelur rregullat duke ushtruar në park me Tanguy Ndombelen.
Po ashtu ka pasur shkelje të rregullave edhe nga lojtarët e Arsenalit. Granit Xhaka ishte në mesin e katër lojtarëve të Arsenalit që thyen rregullat kufizuese. Në këtë mes ishin edhe David Luiz, Alexandre Lacazette e Nicolas Pepe.