KEDS: 78 për qind e konsumatorëve nuk preken nga rritja e tarifave

22:21 | 20 March 2022

Tarifat e energjisë elektrike kanë pësuar rritje muajve të fundit.

KESCO ka njoftuar se faturat e muajit mars do të njehsohen plotësisht me tarifa të reja, në bazë të vendimit të marrë nga ZRRE.

Si rrjedhojë, thuhet në këtë njoftim të kompanisë, fatura do të jetë shumë më e thjeshtë për t’u kuptuar.

KEDS ka sqaruar se konsumi do të ndahet në dy blloqe, sipas vendimit të ZRRE-së për shtrenjtim të energjisë. Blloku i parë është konsumi deri në 800kWh dhe blloku i dytë nga 800kWh.

“Në bazë të vendimit të ZRRE-së, konsumi juaj do të ndahet në dy blloqe, 0-800kWh dhe më i lartë se 800kWh, dhe në dy intervale ditore, ditë e natë, të dhëna këto që do të paraqiten në faturën tuaj në katër rubrika. Tashmë dihet se konsumi në bllokun e parë prej 0-800kWh do të faturohet me të njëjtat tarifa, ndërsa konsumi mbi 800kWh do të faturohet me tarifa të reja.

Pra, me tarifa të rritura do të paguhet vetëm pjesa mbi këtë shpenzim. Nëse një konsumator ka shpenzuar gjithsej 900kWh, atëherë ai do të paguajë 800kWh me bllokun e parë, ku çmimet janë të pandryshuara dhe 100kWh me tarifën e lartë, të dyja të ndara edhe brenda konsumit ditë/natë”, thuhet në njoftim.

Sipas KEDS, në faturën e konsumatorit do të shënohet përllogaritja e parë me A1/B1, që përfaqëson tarifën e lartë, në bllokun deri në 800kWh.

“Pra, do të llogariten aq sa ka shpenzuar kryesisht gjatë ditës, që në stinën e dimrit është nga ora 7:00 e mëngjesit deri në orën 22:00. Ndërsa shpenzimet e bëra nga konsumatorët pas orës 22:00 deri në orën 7:00 paraqiten me kodin A2/B1. Kjo paraqet tarifën e ulët, që është bindshëm më e lira në Evropë dhe ndër më të lirat në botë. Konsumi nga 801kWh e tutje në tarifën e lartë, shembull gjatë ditës do të shënohet me A1/B2, ndërsa konsumi në tarifën e ulët shënohet me kodin A2/B2.

Pas procesit të leximit, konsumi për bllok do të llogaritet me çmimet përkatëse. Fatura përfundimtare do të kalkulohet duke shtuar edhe tarifën fikse, që për konsumatorët e amvisërisë është 1.74 euro dhe TVSH-në në shumën 8 për qind”, thuhet tutje.
Bazuar në rezultatet e parashikuara, sipas KEDS, mbi 78 për qind e konsumatorëve nuk do të preken fare nga rritja e tarifave. Kjo, pasi kanë shpenzim më të vogël mujor se bllok-tarifa.

“Sa u përket atyre të cilët e kalojnë bllok-tarifën, KESCO apelon që të kursejnë maksimumin, për t’ia lehtësuar barrën vetes dhe sistemit elektroenergjetik të vendit në këtë kohë krize, kur çmimet në tregun ndërkombëtar kanë arritur shifra marramendëse. Për ta bërë më të lehtë leximin e faturës dhe mënyrën e llogaritjes, ne kemi integruar në faqen e KESCO-s një faturë me të gjitha shpjegimet e nevojshme në formë vizuale, që mund ta gjeni KËTU: https://www.kesco-energy.com/calculator.html”, thuhet në fund.

Komento: