Vitin e Ri shumë qytetarë e pritën në errësirë.
Disa prej qyteteve kryesore të vendit mbrëmë e kanë pritur Vitin e Ri nën dritën e qirinjve.
KEDS-i tha se e gjitha ka ndodhur për shkak të mbingarkesave të cilat kanë shkaktuar dëme, ndonëse, dje gjatë ditës tha se janë përgatitur në çdo aspekt që qytetarët mos të mbesin pa rrymë.
KEDS-i dhe KESCO, dje përmes një kumtese thanë se kanë siguruar energjinë e mjaftueshme për furnizim me energji elektrike gjatë festës së ndërrimit të motmotit.
Fillimisht u raportua se në disa zona, veçanërisht në Fushë Kosovë dhe Malishevë janë mbingarkesa ekstreme, ku janë djegur në vazhdimësi siguresat. Nga kjo nuk shpëtoi as Prizreni, Suhareka dhe Ferizaj.
Po ashtu, për shkak të mbingarkesave në Gjakovë janë djegur disa kabllo të tensionit ë mesëm dhe për pasojë rreth 8000 konsumatorë kanë kaluar natën më të gjatë të vitit pa energji elektrike.
Energjia elektrike është rikthyer në disa zona të Gjakovës rreth orës 01:00 pas mesnate.
Kryetari i Gjakovës, Ardian Gjini, tha se pavarësisht mbingarkesës është e pafalshme që gjysma e komunës së Gjakovës të jetë në terr në natën e ndërrimit të motmoteve.
“Thjesht e pafalshme! KEDS nuk mund të arsyetohet kështu”, shkroi ai në Facebook.
KEDS ka apeluar për kursim maksimal të energjisë elektrike.