“Nuk kemi pasë rrymë qe 5 orë”, “Veç te na janë ka e nalin rrymën”, “Nuk mundem me punu se nuk kam rrymë”, “Nuk ka rrymë në Suharekë”, “Fushë Kosova pa rrymë prej mëngjesit”, janë vetëm disa nga deklaratat që na e kanë vrarë veshin gjatë muajit nëntor dhe po vazhdojnë edhe në muajin dhjetor.
Kohët e fundit qytetarët e të gjitha komunave të Kosovës janë përballur me ndërprerje të energjisë elektrike me orare të tejzgjatura.
Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRrE) është duke e bërë një hetim për ndërprerjet e energjisë elektrike që kanë ndodhur gjatë muajve të fundit.
KESCO, si furnizues i energjisë elektrike, është i obliguar që t’i furnizojë qytetarët me energji elektrike. Ky obligim vlen edhe në rastin kur prodhimi i energjisë elektrike në vend është i pamjaftueshëm, dhe KESCO obligohet dhe ka të drejt të importojë energjinë nga vendet tjera.
ZRrE-ja ka thënë se situata me furnizim me energji është përkeqësuar pas rënies së prodhimit nga KEK-u dhe se operatori i furnizimit, KESCO ka dështuar të sigurojë importin e energjisë me kohë, në mënyrë që të mbuloj kërkesën e furnizimit në të gjithë territorin e vendit.
“ZRrE i ka kërkuar KESCO-s dhe KEDS-it që të mbulojë kërkesën për furnizimin me energji elektrike pa ndërprerje duke mos ndërprerë energjinë në asnjë rast përveç kur rrezikohet sistemi”, thekson ZRrE.
Zëdhënësi i KEDS/KESCO, Viktor Buzhala ka thënë se importi i energjisë elektrike ka ndryshuar në varësi të kërkesës dhe ka ndryshuar nga ora në orë. Sipas Buzhalës, pas mesnatës nuk ka pasur nevojë fare të importohet energji elektrike.
Importi i energjisë elektrike nga KEDS/KESCO gjatë ditës ka shkuar deri në 300 – 400 MË, ndërsa gjatë pikut të mbrëmjes kjo sasi ka shkuar deri në 500 MW.
“Çmimi është 100-120 euro për megavat”, ka treguar Buzhala.
Nëntori pa njësinë ‘B1’
Korporata Energjetikë e Kosovës (KEK) ka thënë për Gazetën JnK se gjatë muajit nëntor kanë qenë në prodhim të plotë sipas planit të paraparë.
“Me ‘Njësinë A4’ të termocentralit ‘Kosova A’ jemi në prodhim me 140 MW/h dhe me ‘Njësinë e B2’ të termocentralit ‘Kosova B’ i cili po prodhon rreth 260 MW/h energji elektrike”, thuhet në përgjigjen e KEK-ut në fund të muajit nëntor.
KEK-u ka thënë se ata e kanë realizuar prodhimin ashtu siç e kanë pasur për obligim. “Njësia A3” me kapacitete prodhuese 130 MW/h ka qenë e gatshme që nga mesnata e 30 nëntorit, pas angazhimit të të gjitha ekipeve të KEK-ut për ta kthyer këtë njësi në prodhim.
Nga fundi i nëntorit KEK-u ka qenë në prodhim me dy njësi të termocentralit “Kosova A” dhe njësinë “B2” të termocentralit “Kosova B”, që në total kanë qenë në prodhim me 530 MW/h energji elektrike.
“Ajo qe është me rendësi, KEK-u gjatë gjithë këtyre ditëve ka operuar në përputhje të plotë me obligimet qe kemi sipas licencës, pra kemi ofruar saktë sasinë e energjisë sa e kemi raportuar 24 orë me herët siç e kemi obligim kontraktual. Ndërsa, sa i përket furnizimit të qytetarëve me energji elektrike, ashtu siç e ka deklaruar edhe ZRrE-ja është obligim ligjor dhe kontraktual i furnizuesit publik KEDS / KESCO”, vazhdon përgjigja e KEK-ut për Gazetën JnK.
Pas një remonti kompleks edhe “Njësia B1” e termocentralit “Kosova B” është kthyer në prodhim. Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) nga 13 dhjetori ka deklaruar se është në prodhim me kapacitete të plota.
“Prodhimi vendor nga termocentralet e KEK-ut, sot (13 dhjetor) është rreth 800 megavat orë energji elektrike”, thuhej në njoftimin e KEK-ut.
Paralajmërimi i ZRrE-së për KEDS/KESCO
Zyra e Rregullatorit janë shprehur se do të vazhdojnë të monitorojnë të licencuarit KEDS/KESCO për përmbushjen e obligimeve që kanë dhe për çdo shkelje apo devijim nga kushtet e licencës do të njoftojnë Bordin si organ vendimmarrës në ZRrE.
“ZRrE do të vazhdoj monitorimin dhe në rast se vëren veprime të tilla do të kërkoj nga Bordi që ndaj të licencuarve, që shkelin kushtet e licencës, të aplikohen procedurat e parapara me Ligjin për Rregullatorin e Energjisë, Rregullën për Masat Administrative dhe Gjoba si dhe rregullat e tjera që parashohin rastet e tilla”, përfundon përgjigja e ZRrE-së.
Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRrE) ka thënë se e kanë përcjellur me vëmendje të shtuar zbatimin e planit të ndërprerjeve të planifikuara. Madje sipas tyre me qëllim kanë realizuar edhe disa monitorime të paparalajmëruara në vendet ku janë planifikuar mirëmbajtjet dhe ndërprerjet e planifikuara.
“Gjatë këtyre vizitave janë vërejtur numër i madh i ndërprerjeve për mirëmbajtje, kohëzgjatje të ndërprerjeve jo në harmoni me punët e nevojshme dhe në disa linja përsëritje të ndërprerjeve të energjisë elektrike brenda muajit”, thuhet në përgjigjen e ZRrE-së.
Për këtë arsye ZRrE ka kërkuar mos aplikimin e ndërprerjeve të planifikuara, me përjashtim të mirëmbajtjeve të domosdoshme që kanë të bëjnë me mos rrezikimin e sistemit apo sigurisë së furnizimit me Energji.
Zyra e Rregullatorit të Energjisë në të kaluarën ka gjetur KEDS-i kishte aplikuar ndërprërje të energjisë elektrike duke u thirrur në “ndërprerje të planifikuara” me qëllim të riparimeve.
Por ZRrE ka thënë se në vitin 2016 kanë gjetur vetëm shkelje në procedurat e aplikimit të ndërprerjeve me qëllim të mirëmbajtjes dhe për këtë KEDS-i është gjobitur. Ata kanë thënë se nuk kanë arritur të faktojnë se ndërprerjet e energjisë elektrike ishin bërë nëpër pjesët ku kishte humbje më të mëdha me qëllim të uljes së nivelit të humbjeve në total.
“Përderisa nukka arritur të gjej dëshmi se këto ndërprerje janë kryer në mënyrë të organizuar me qëllimin që ju po i referoheni”, thuhet në përgjigjen e ZRrE-së për Gazetën JnK.
ZRrE ka dërguar shkresa dhe vërejtje në adresë të KEDS/KESCO se në rast të mos respektimit të kushteve të licencës do të veprohet sipas rregullave në fuqi.
Nëntori me energji të prodhuar më pak se sa është planifikuar
Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të energjisë elektrike të Kosovës (KOSTT) ka thënë se ata janë përgjegjës vetëm për energjinë e pa furnizuar si pasojë e problemeve teknike në rrjetin e transmisionit.
“KOSTT ka verifikuar se nuk ka pasur energji të pa furnizuar si pasojë e rrjetit të transmisionit”, thuhet në përgjigjen e KOSTT.
Sipas të dhënave të KOSTT për bilancin e energjisë nga muaji shtator deri në muajin nëntor, konsumi i energjisë elektrike i realizuar në periudhën kohore 1 shtator – 25 nëntor 2018 ka qenë 445,164 MW/h.
Prodhimi vendor i energjisë elektrike i realizuar në periudhën kohore 1 shtator – 25 nëntor 2018 në hyrje të rrjetit transmetues nga KEK-u ishte 307,433 MW/h dhe nga Burimet e Ripërtrishme të Energjisë (BRE) ishte 13,840 MW/h, ndërsa në total kjo sasi ka shkuar në 321,273 MW/h.
Në muajin shtator ka qenë e planifikuar të prodhoheshin 348,283 MWh, ndërsa janë realizuar 351, 870 MWh. Pra, në muajin shtator, në Kosovë është prodhuar 3587 MWh më shumë se sa ka qenë e planifikuar.
Në po të njëjtin muaj ka qenë e planifikuar që të konsumoheshin 386,480 MWh, por janë realizuar 395,674 MWh, pra ka pasur tejkalim. Gjatë muajit shtator janë konsumuar 9194 MWh më shumë se sa ka qenë e planifikuar.
Në muajin pasues, në tetor, sipas të dhënave të KOSTT, që janë nxjerr nga bilanci i energjisë i realizuar ka qenë e planifikuar që të prodhoheshin 398,167 MWh, por janë realizuar 426,267 MWh. Kjo do të thotë se janë prodhuar 28,100 MWh më shumë se sa ka qenë e planifikuar fillimisht.
Gjatë tetorit është planifikuar që të konsumoheshin 424, 345 MWh ndërsa janë realizuar 456, 395 MWh. Edhe në këtë muaj janë konsumuar 32,050 MWh më shumë se sa ka qenë e planifikuar.
Nga ana tjetër sipas të dhënave të KOSTT, gjatë muajit nëntor të këtij viti janë prodhuar 156,678 MWh më pak se sa ka qenë e planifikuar. Në nëntor janë planifikuar që të prodhohen 521,802 MWh ndërsa janë realizuar 365,124 MWh. Pra, kemi pasur 30% më pak energji të prodhuar se sa planifikimi.
Kurse sa i përket konsumit, në muajin nëntor kanë qenë të planifikuara 460, 953 MWh dhe janë realizuar 513,650 MWh. Pra gjatë muajit nëntor janë konsumuar 52,697 MWh më shumë se sa ka qenë e planifikuar. Pra, gjatë muajit nëntor është realizuar më pak prodhim dhe më shumë konsum se sa planifikimi fillestar, duke e thelluar krizën.
MZhE kërkon llogari nga aktorët kryesorë të energjisë
Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka në fund të muajit nëntor ka reaguar në lidhje me ndërprerjet e energjisë elektrike. Duke iu përgjigjur ankesave të qytetarëve dhe të bizneseve Lluka ka kërkuar informacione nga ZRrE-ja.
U.D i kryetarit të Bordit të ZRrE-së, Arsim Janova, e kishte informuar se ZRrE ka marrë masa duke urdhëruar KESCO/KEDS që të ndërpres menjëherë të gjitha reduktimet e energjisë elektrike si dhe të mos aplikoj ndërprerjen e planifikuar të energjisë, përveç në raste kur cenohet siguria nacionale apo siguria e sistemit energjetik.
“Nga sonte, ndërprerjet e paplanifikuara të energjisë do të duhej të ndërpriten.
Ndërkohë, do të kërkoj llogari edhe nga KEK për mos funksionimin e disa blloqeve në formë të pa planifikuar. P.S. Nëse keni ndërprerje edhe pas këtij njoftimi, ju lutem postoni komente me lokacionin dhe qytetin”, kishte shkruar ministri Lluka në Facebook më 23 nëntor.
Gjatë muajit nëntor kishte reaguar edhe kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj i cili i ka konsideruar zhgënjyese dhe të pa tolerueshme ndërprerjet e shpeshta të energjisë elektrike.
Haradinaj përmes një shkrimi në Facebook kishte thënë se është i papranueshëm fakti që KEDS-i dhe KEK-u nuk janë në gjendje t’i realizojnë detyrat e veta.
“Zhgënjyese dhe e pa tolerueshme sjellja KEDS dhe KEK në ditët e para të dimrit, duke i shtyrë qytetarët të përballen me reduktime të ashpra të energjisë elektrike. I papranueshëm fakti, që KEDS dhe KEK nuk janë në gjendje t’i realizojnë detyrat e veta. Menaxhmenti i KEDS dhe KEK duhet ta dinë se Qeverisë së Kosovës dhe qytetarëve të saj nuk u intereson se cili njësit është funksional e cili jo dhe as nuk i intereson se cili është çmimi i energjisë në tregun ndërkombëtarë”, thuhet në reagimin e kryeministrit.
Por edhe përkundër këtyre paralajmërimeve problemet me ndërprerje të energjisë elektrike janë duke vazhduar edhe gjatë muajit dhjetor. Në komunën e Suharekës është paralajmëruar bllokim të rrugëve si shenjë proteste ndaj KEDS/KESCO për ndërprerjen e energjisë me orar të tejzgjatur, në Prishtinë kanë mbetur pa energji elektrike mbi 100 mijë banorë e në Fushë Kosovë banorët janë ankuar për ndërprerje të energjisë elektrike me orar të tejzgjatur.
Më 3 dhjetor, ministri Valdrin Lluka përsëri ka mbajtur një takim së bashku me kryeministrin Ramush Haradinaj dhe të gjithë akterët e sektorit energjetik, ZRrE-në, KOSTT-in, KEK-un dhe KEDS-in, me të cilët janë diskutuar sfidat energjetike në vend.
“Nga ta kërkuam koordinim më të mirë të aktiviteteve në mënyrë që të eliminohen ndërprerjet e paplanifikuara tek qytetarët dhe bizneset”, ka shkruar Lluka në Facebook më 3 dhjetor.
Lluka ka deklaruar se ndërprerja e paplanifikuar e energjisë elektrike përveç në raste të prishjeve serioze dhe të papritura, është e ndaluar me ligj dhe rregullore të energjisë.
Sa i përket ndërprerjeve të shumta të energjisë elektrike në komunën e Suharekës dhe Fushë Kosovës përsëri është deklaruar ministri Lluka më 16 dhjetor.
“Përderisa për Suharekën investimi nga KOSTT është finalizuar dhe nuk pritet të ketë ndërprerje për shkak të mirëmbajtjes, në Fushë Kosovë situata mund të jetë më e ndërlikuar”, ka thënë ministri Lluka.
Ai ka thënë se KOSTT është paraparë të investoj në Fushë Kosovë për të përballuar zgjerimin/ndërtimin e shpejtë që ka rritur kërkesën për energji elektrike më shumë se kudo tjetër në Kosovë. Mirëpo një investim i tillë sipas ministrit nuk është arritur të realizohet këtë vit për shkak të mungesës së financave, si rezultat i mos implementimit të marrëveshjes për energji nga ana e Serbisë.
“Nga ana tjetër, për shkak të mbingarkesës, trafot aktuale nuk kanë qenë të mjaftuara dhe si rezultat, ka pasur reduktime”, ka shtuar Lluka.
Më 20 dhjetor, ministri Valdrin Lluka përsëri ka thirrur në takim organet përgjegjëse për sektorin e energjisë në vendin tonë, gjegjësisht KEK-un, KEDS-in, ZRrE-në dhe KOSTT-in, ku ka kërkuar raportim rreth situatës energjetike në vend.
Në këtë takim u diskutuan masat të cilat duhet të merren për tu parandaluar ndërprerjet e paplanifikuara si dhe u kërkua mobilizim që të kalohet sezoni dimëror pa probleme të mëdha.
Lluka u interesua të kuptoj nga KEDS dhe KOSTT zgjidhjen e disa shqetësimeve të cilat ai i ka marrë nga banorët e Fushë Kosovës, Suharekës dhe Prishtinës për ndërprerje të energjisë elektrike.
“Konstatimi i përgjithshëm ishte që situata energjetike është stabile në gjithë vendin dhe se ndërprerjet e vetme që mund të ndodhin janë për shkak të mbingarkesave në zona të caktuara në Kosovë”, thuhet në njoftimin e MZhE-së
Pak ditë më parë kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Prishtinës, Imer Beka ka njoftuar se pritet të hetohen reduktimet e energjisë elektrike nga KEDS-i javë më parë në Kosovë.
Ai ka deklaruar se interesimi ka filluar nga Prokuroria, por ende nuk ka diçka konkrete.
Transmisioni Kosovë – Shqipëri si zgjidhje
KOSTT ka deklaruar se Serbia aktualisht po e bllokon implementimin e marrëveshjes së kyçjes KOSTT-ENTSO-E sipas të cilës KOSTT do të mund të fillonte të operonte si bllok kontrolli i pavarur.
“Në pamundësi të implementimit të kësaj marrëveshje, KOSTT-it dhe sektorit të energjisë elektrike në Kosovë i shkaktohen dëme financiare dhe zhvillimore për të ardhmen”, thuhet në përgjigjen e KOSTT.
Si pasojë e mos implementimin të marrëveshjes se kyçjes KOSTT-ENTSOE linja 400kV Kosovë – Shqipëri është jashtë operimit, KOSTT nuk i menaxhon alokimin e kapaciteteve të linjave interkonktive, palët tregtare në Kosovë nuk kanë qasje në këto kapacitete si dhe pamundësia e implementimin të masave të buta në kuadër te iniciativës ËB6.
KOSTT ka thënë se rrjeti elektroenergjetik i Kosovës është i ndërlidhur shumë fuqishëm me rrjetin interkonektiv të vendeve regjionale. Si rrjedhojë e kësaj Serbia nuk mund të ndikojë në ndonjë masë për të dëmtuar sigurinë e operimit të sistemit të Kosovës, si formë e reciprocitetit pas taksës 100 për qind të vendosur nga Qeveria e Kosovës ndaj mallrave serbe.
Por KOSTT ka treguar se Serbia fatkeqësisht menaxhon kapacitetet ndërkufitare të KOSTT dhe kjo ndikon në çmimin e energjisë elektrike nga importi.
“Kapacitetet transmetuese ndërkufitare të KOSTT janë shitur në mënyrë të paligjshme dhe jo transparente nga ana EMS (Operatori i Sistemit të Serbisë) palëve të ndryshme tregtare me çmim më të lartë se sa çmimi i tregut dhe ky çmim i shtohet çmimit të energjisë elektrike gjatë transaksioneve të energjisë elektrike”, vazhdon përgjigja e KOSST.
Ata kanë thënë se si alternativë është implementimi i marrëveshjes për kyçje KOSTT-ENTSO-E”.