Pas përfundimit të investimeve 10 vjeçare në mbulimin e deponive të hirit, eleminimit të materieve të rrezikshme dhe përmirësimin e ndotjes së ajrit nga Termocentralet përmes investimeve në elekto-filtra, nga ky vit, fillon faza e investimeve në kultivimin e tokave dhe ndërtimin e parqeve të gjelbëruara në hapësira qindra hektarëshe në tokat e KEK-ut.
Për këto projekte nga fillimi i vitit janë duke punuar intensivisht zyrtarë të KEK-ut dhe Komunës së Obiliqit.
Drejtori Menaxhues i KEK-ut, Njazi Thaçi dhe Kryetari i Komunës se Obliliqit, Xhafer Gashi edhe sot kanë zhvilluar një takim ku është diskutuar më në detaje rreth këtyre projekteve.
Drejtori Menaxhues i KEK-ut, Njazi Thaçi në këtë takim ka thënë se ka një bashkërendim për realizimin e këtyre projekteve që janë të rëndësishme për banoret e komunës së Obiliqit dhe jo vetëm.
“Korporata Energjetike e Kosovës në vazhdimësi ka bërë investime në komunitet dhe përmirësimin e mjedisit. Tani jemi duke folur për projekte që janë shumë më të mëdha dhe që do të reflektojnë direkt në ndryshimin e ambientit ku operon Korporata. Projekti me i rëndësishëm është Brezi i Gjelbër që përfshinë gjithë zonën rreth Korporatës. Pra do të fillojmë gjelbërimin, mbjelljen e drunjve në gjithë perimetrin ku operojnë termocentralet tona. Kjo do të ndikoj në përmirësimin e ajrit dhe njëkohësisht do t’i jap pasqyre krejt tjetër kësaj zonë të Obiliqit”, ka thënë Drejtori i KEK-ut, Njazi Thaçi pas këtij takimi.
Nga ana tjetër, edhe kryetari i Komunës së Obiliqit, Xhafer Gashi është shprehur i kënaqur me bashkëpunimin dhe bashkërendimin e hapave drejt realizimit të këtyre projekteve.
“Këto projekte do të ndikojnë drejtpërsëdrejti në përmirësimin e kushteve të jetesës për banorët në komunën tonë. Ne jemi duke bashkëpunuar ngushtë me KEK-un dhe bashkërisht do të jemi të përkushtuar që të realizojmë projekte të mëdha në këto zona. Kjo është shumë e rëndësishme për të gjithë banorët e Obiliqit e në veçanti për ato zona të cilat janë rreth termocentraleve dhe mihjeve të KEK-ut. Përveç këtyre, janë edhe disa projekte të tjera që KEK-u sikur edhe në vitet e tjera edhe këtë vit do të investoj në komunitet, ndërtimin e fushave të sportit dhe parqeve në disa fshatra”, ka thënë Kryetari i Komunës së Obiliqit, Xhafer Gashi.