
Korporata Energjetike e Kosovës sh.a. (KEK) njofton opinionin publik, komunitetin e biznesit dhe të gjitha kompanitë e interesuara se projekti strategjik “Solar4Kosovo I Photovoltaics”, që parasheh ndërtimin e Parkut Solar Fotovoltaik me kapacitet minimal prej 100 MW, ka hyrë zyrtarisht në fazën e tenderimit për implementim të projektit.
“Ju njoftojmë se me fillim të kësaj jave është publikuar Ftesa për Përzgjedhje Fillestare (Parakualifikim) për dizajnimin, furnizimin dhe instalimin e impiantit (FIDIC Yellow Book)”.
Sipas njoftimit të KEK ky është një ndër projektet më të rëndësishme të tranzicionit energjetik në Kosovë, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian (WBIF), Qeveria Gjermane përmes KfW-së, si dhe Banka Evropiane e Investimeve (EIB). Projekti do të ndërtohet në ish-deponinë e hirit të qymyrit në veriperëndim të Prishtinës, duke shndërruar një zonë të dëmtuar mjedisore në një kapacitet modern dhe strategjik të prodhimit të energjisë së pastër.
“Ftesë për pjesëmarrje – transparencë dhe konkurrencë maksimale
KEK, si institucioni përfitues i projektit, inkurajon në mënyrë të veçantë të gjitha kompanitë vendore dhe ndërkombëtare që të aplikojnë për t’u bërë pjesë e këtij procesi shumë konkurrues dhe plotësisht transparent.:
Kanë ekspertizë të lartë teknike,
Përmbushin kriteret profesionale dhe financiare,
Operojnë në dizajnimin dhe ndërtimin e impianteve fotovoltaike,
Kanë përvojë në projekte të mëdha energjetike
Projekti “Solar4Kosovo I Photovoltaics” përfaqëson një mundësi të rëndësishme zhvillimore për sektorin energjetik, industrinë e ndërtimit, kompanitë teknologjike, dhe ofron potencial të lartë për partneritete ndërkombëtare në fushën e energjisë së ripërtëritshme”, thuhet në njoftim.