Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ditë më parë ka zhvilluar një takim të rëndësishëm me një delegacion të lartë nga MCA Kosova, të kryesuar nga z. Hamit Qeriqi, drejtor, dhe znj. Meriha Manojlovic, udhëheqëse e ekipit me bashkëpunëtorë. Delegacioni është mirëpritur nga z. Ramadan Budakova, zv. Kryeshef Ekzekutiv i KEK-ut, dhe bashkëpunëtorëve të tij: znj. Mirvete Gerguri, Drejtoreshë e Prokurimit, z. Fitim Ahmeti, Drejtor i Shërbimeve të Korporatës, z. Arian Grantolli, Drejtor i Burimeve Njerëzore, dhe inxhiniereve Donijeta Sogojeva dhe Edita Murtezi.
Në kuadër të programit JETA, MCA Kosova ka lansuar Grantet për Energji dhe Barazi për Nivelin e 3, të cilat synojnë mbështetje për kompanitë që kanë mbi 200 punëtorë, me qëllim rritjen e punësimit dhe zhvillimin e karrierës për gratë në sektorin e energjisë. Ky program ofron mundësi të reja dhe mbështetje për avancimin e grave në këtë industri vitale për zhvillimin e Kosovës.
Gjatë prezantimit të projektit të grantit, z. Qeriqi dhe znj. Manojlovic ndanë me stafin e KEK-ut informacion mbi vlerën totale të grantit prej 110,000.00 euro, duke inkurajuar pjesëmarrësit të përgatisin propozim projekte me terma të qarta që përfshijnë politikat, projektet dhe iniciativat për të përmirësuar mundësitë për gratë në sektorin e energjisë.
Nga ana tjetër, z. Budakova falënderoi zyrtarët e lartë të MCA Kosova për këtë mundësi dhe e informoi delegacionin mbi ecurinë e prodhimit të KEK-ut, sfidat që përballon, objektivat e korporatës, dhe rëndësinë e gruas në sektorin energjetik, me theks të veçantë në korporatë.
“Ky projekt është një hap i rëndësishëm drejt përmirësimit të barazisë gjinore dhe fuqizimit të gruas në sektorin e energjisë, duke kontribuar në krijimin e mundësive të reja për zhvillimin e karrierës së grave dhe rritjen e punësimit në këtë sektor të rëndësishëm për zhvillimin ekonomik të Kosovës,” theksoi në përfundim të takimit z. Budakova.