KEK-u i reagon Molliqajt për pretendimet rreth prishjes së qëllimshme të dy blloqeve

17:01 | 25 December 2021

Kosova po përballet me probleme me rrymë.

Korporata Energjetike e Kosovës (KEK), ka paralajmëruar veprime ligjore ndaj kryetarit të PSD-së Dardan Molliqaj, i cili deklaroi sot se rënia e blloqeve A3 dhe A5 është bërë në mënyrë të qëllimshme.

Përmes një postimi në Facebook, nga KEK-u thuhet se pretendimet e Molliqaj nuk qëndrojnë dhe janë shpifje.

“Më qëllim të informimit të drejtë të opinionit të gjerë publik, KEK kishte njoftuar me kohë se këto dy njesi (A3 dhe A5) që ishin në operim në atë kohë, kishin rënë nga sistemi si pasojë problemeve të shkaktuara në rrjet nga faktorë jashtë KEK-ut, Lidhur me këtë, KEK kishte pranuar shkresën zyrtare nga Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut KOSTT, me datë 06.12.2021 ku jemi njoftuar edhe zyrtarisht se ishte identifikur një problem teknik në pjesën e tyre ku pas nje shperthimi të izolimit të një izolatori e cila ka rezultuar me lidhje të shkurter në sistem të zbarrave ka ardhe deri te rënia e dy njesive prodhuese dhe se ekipet e tyre kishin riparuar prishjen dhe sistemi ishte ne gjendje gadishmerie për punë. Falë angazhimit të jashtëzakonshëm të eksperteve dhe punonjësve të KEK-ut të dy njesitë prodhuese ishin kthyer ne operim në kohë optimale”, thuhet në njoftim.

KEK-u thekson se ka marrë me shqetësim deklaratat e Dardan Molliqajt dhe paralajmërojnë veprime ligjore ndaj tij. Kjo për arsye, siç shprehen, me qëllim të ruajtjes së imazhit të korporatës.

“Si përfundim, KEK ka marre me shqetësim këto dezinformata dhe shpifje të Z. Molliqaj. Për këtë arsye KEK do ndermarre të gjitha veprimet ligjore tek organet e drejtesise ndaj Z. Molliqaj, me qellim te parandalimit të këtyre dukurive si dhe ruajtjen e imazhit te korporates dhe dinjitetit të punëtorëve te saj të cilët me perkushtim të jashtëzakonshëm po kryejnë detyrat e tyre në këto rrethana mjaft sfiduese”, thuhet në njoftimin e KEK-ut.

Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj, ka thënë se kanë informacione nga burimet brenda Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), se rënia e blloqeve A3 dhe A5 është bërë qëllimisht.

Molliqaj në një konferencë për media ka deklaruar se ka dyshime që kjo prishje është shkaktuar nga KEDS-i.

“Në bazë të burimeve tona brena KEK-ut janë duke u zhvilluar tri problematika të theksuara që e rëndojnë edhe më tutje sistemin e energjisë në Kosovë. E para tashmë ka ndodhur. Sipas burimeve tona 10 ditë më parë ka pasur rënie të Bllokut A3 dhe A5, kishte mungesë të shtuar të energjisë elektrike. Sipas asaj që ne kemi informacione dhe që kërkojmë hetim të organeve përgjegjëse dhe të ekspertëve të fushave, rënia e Bllokut A3 dhe A5 brenda ditës duket që ka qenë e qëllimshme dhe e shkaktuar nga KEDS-i”, ka thënë ai.

Tutje, Molliqaj tha se dyshojnë që KEDS-i këtë veprim e ka bërë në bashkëpunim me menaxhmentin e ri të KEK-ut dhe Qeverinë e Kosovës.

Por, deklaratat e Molliqajt u mohuan edhe nga zëdhënësi i KEDS-it, Viktor Buzhala, i cili tha se me këtë punë po merret zyra ligjore e KEDS.

“Me pretendimet e tij është duke u marrë zyra jonë ligjore. Është konstatim absurd. Do të sqarohet kjo çështje në sistemin e drejtësisë”, ka thënë Buzhala sot në një konferencë për media.
Pas deklaratës së Buzhalës reagoi vetë Molliqaj në profilin e tij në Facebook.

Sipas tij, Buzhala vetëm sa e shton dyshimin lidhur me deklarimet e tij se KEDS ka ndikuar në rënien e blloqeve A3 dhe A5.

”Reagimi i z. Buzhala, vetëm sa shton dyshimin. Në vend se menaxhmenti i ri KEK-ut dhe KEDS-it të jenë transparente, t’i lënë vend hetimit, si dhe organet hetuese të drejtësisë të nisin punën një orë e më parë, kanë zgjedhur sulmin.”, ka shkruar Molliqaj ndër të tjera në Facebook.

Kujtojmë se prej ditësh vendi është duke u përballur me reduktime të energjisë elektrike. Në shumë zona të vendit reduktimet po zgjasin më shumë se dy orë.

Komento: