
Korporata Energjetike e Kosovës po përjeton një nga periudhat më të vështira të menaxhimit. Ndërprerje blloqesh, rënie e prodhimit, emërime dhe shkarkime të përditshme, e në krye të bllokadave, KEK-u vazhdon të mbetet pa një kryeshef të rregullt.
Në vend të stabilitetit, ndërmarrja më e madhe publike e vendit po udhëhiqet pothuajse tërësisht nga ushtrues detyre. Në çdo nivel, nga kryeshefi ekzekutiv te drejtorët e termocentraleve dhe menaxherët teknik. Bordi aktual i KEK-ut është i zgjedhur në vitin 2024 nga Qeveria e Kosovës përmes Ministrisë së Ekonomisë, përbëhet nga: Valdrin Krasniqi si kryesues dhe si anëtarë Merita Kasapolli, Filloretë Gashi-Sadiku dhe Shpetim Zharku.
Ky bord erdhi si “zgjidhje profesionale” pas shkarkimeve paraprake, por bilanci i punës së tij ka rezultuar në krizë:
Konkursi i parë për kryeshef ekzekutiv, në qershor 2024 u shpall i pavlefshëm, pa asnjë sqarim publik.
Konkursi i dytë në mars 2025 përfundoi me refuzimin e pozitës nga vetë kandidati i përzgjedhur, Ylber Batalli.
Këso emërimesh, s’po dalin shumë të mira sipas organizatave joqeveritare. Nga IKD, thonë se sjellin telashe brenda ndërmarrjeve.
“Kjo krijon disa probleme serioze, fillimisht mungesë të stabilitetit të institucionit të caktuar, dobësim të përgjegjësisë menaxheriale dhe rritje të varësisë politike. Një u.d. zakonisht nuk ka mandat të plotë, nuk ka siguri kohore dhe rrjedhimisht shpesh shmang vendime strategjike afatgjata, duke u fokusuar në menaxhim ditor ose në përshtatje me pritjet e autoritetit që e ka emëruar”, tha Naim Jakaj nga IKD. Kjo për shkak se sipas Jakajt, edhe vendimmarrja i ekspozohet rrezikut permanent për shkarkime.
“Rreziju është i lartë. Kur emërimet me u.d. zgjasin me muaj apo vite, ndërmarrjet publike humbin autonominë funksionale dhe profesionale. Vendimmarrja bëhet e kujdesshme deri në paralizë të vet institucionit, sepse drejtuesit pa mandat të plotë janë të ekspozuar ndaj shkarkimit të shpejtë”, pohoi ai për tutje.
Ndërkohë, KEK-u mbeti pa drejtues të rregullt, duke e shndërruar pozitën e kryeshefit në një arenë improvizimesh dhe vendimesh të përkohshme. Në terren, rezultatet e këtyre dështimeve janë ‘dramatike’. Në vitin 2025 veçse është rritur frekuenca e ndërprerjeve të blloqeve, defekteve dhe problemeve teknike, duke e çuar sistemin energjetik në prag të kolapsit. Ekspertët kanë paralajmëruar rrezik serioz për sigurinë energjetike të vendit. Në kulmin e kësaj krize, përgjegjësia institucionale mungon krejtësisht.
Kush u bë figura qendrore e kolapsit në KEK?
Emërimi i Gramos Hashanit si ushtrues detyre në shkurt 2025 u mendua të ishte një zgjidhje e përkohshme. Por shumë shpejt u kuptua e kundërta, mandati i tij u mbush me emërime të shpejta dhe ndërhyrje të dyshuara politike.
Politika në prapaskenë? Lidhjet e Hashanit me pushtetin
Fillimisht i njohur si udhëheqës i një nëndege të AAK-së në Obiliq në vitin 2019, Hashani brenda pak viteve arriti në pozitat më të larta të KEK-ut. Një fenomen tjetër që ka ngritur shqetësime brenda KEK-ut është fakti se ‘më shumë se 15 drejtorë dhe menaxher të emëruar’ vijnë nga ‘fshati Bellaqefc apo Bardhi i Madh’.
‘Edhe vetë Valon Prebreza’, ish-udhëheqës i Njësisë për Monitorimin e Ndërmarrjeve Publike (NJPMNP) në Ministrinë e Ekonomisë, tash kryetar i Fushë Kosovës, ‘rastësisht’ vjen nga i njëjti fshat.
Më alarmuese ishte publikimi i një emaili të Prebrezës, ku ai kërkonte zgjatjen e mandatit të një U.D.-je në një ndërmarrje tjetër publike. Fotoja e tij me Gramos Hashanin dhe Alban Krasniqin (sekretarin e KEK dhe anëtar bordi në Trepçë), duke i falënderuar për angazhimin në zgjedhjet e Shkurtit të këtij viti, u shpërnda në media dhe rrjete sociale, duke ngritur dyshime se një rreth i ngushtë po kontrollon vendimmarrjet e KEK-ut.
Korporata strategjike, e drejtuar nga improvizime
Së fundmi, U.D Drejtori Ekzekutiv Gramos Hashani, e emëroi ‘Ramadan Sokolin’ si Ushtrues Detyre të Drejtorit Operativ të Termocentraleve dhe Minierave, një nga pozitat më kritike teknike të ndërmarrjes. Por, Sokoli është kimist me profesion. Për më tepër, ai është vëllai i ish-deputetit të VV-së, Bylbyl Sokolit’, i cili është ri-nominuar sërish për deputet. Sokoli është vendosur edhe në komisionin për renovimin e ‘bllokut A3’, tender 137 milionë euro.
Mediat raportuan edhe sagën rreth drejtimit të Termocentralit B. Shkarkimi i Ramadan Ahmetit nga pozita e drejtorit të këtij termocentrali.
Rënia e blloqeve, dëmi në ekonomi
Mediat kanë raportuar më 8 dhjetor për rënien e dy blloqeve të Termocentralit Kosova A. Këto dy njësi ishin jashtë funksionit. Bazuar në raportimin e Klanit gjatë muajit të kaluar , njësia A3 madje s’kishte qenë funksionale fare. Pasi Mediat raportuan për dy blloqe të termocentralit Kosova A, Korporata Energjetike e Kosovës është deklaruar lidhur me bllokun e A3, pa përmendur këtë të dytin.
Sipas KEK-ut, atë ditë ishin duke operuar njësia A4 e “Kosova A” si dhe njësitë B1 dhe B2 të “Kosova B”, me një kapacitet të përgjithshëm prodhues prej 14,640 Mëh.Korporata sqaroi se njësia A3 ka qenë në remont që nga 31 tetori dhe se pas tentimit të ristartimit është vlerësuar se duhen ndërhyrje dhe sanime shtesë teknike gjatë kësaj jave.
“Megjithatë, sasia e energjisë së kësaj njësie është kompensuar dhe, bazuar në planin e nominuar nga KEK, nuk ka mungesë të prodhimit me energji elektrike”, thuhet në përgjigjjen e zëdhënësit të KEK-ut, Skender Bucolli.
Ndërkohë, sipas Janina Ymerit, inxhinieres energjetike dëmi kur një bllok si A5 bie është i madh.
“A5 ndalja e këtij blloku, çon ne import ditor 100-200 mije Euro me cmim te burses nderkombetare”, tha ajo.
Vetëm pak kohë pas shkarkimit të Ahmetit, Gramos Hashani vendosi që në krye të Termocentralit B të rikthejë Jonuz Saraqin, pasi vetëm një vit më parë ishte shkarkuar nga ish-drejtori i KEK-ut, Bekir Gërguri, për performancë të dobët.
Ndërsa Gramos Hashani merret me emërime të njëpasnjëshme në pozita të ndjeshme teknike, Valdrin Krasniqi dhe Bordi i KEK-ut nuk arrijnë të sigurojnë as procedurë normale për zgjedhjen e kryeshefit të rregullt./KlanKosova