Ramiz Kelmendi për koalicionin me PDK’në: Në politikë nuk thuhet kurrë.
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ramiz Kelmendi, i ftuar në emisionin Dpt te Fidani, ka thënë se LDK’ja nuk do të pranonte një koalicion me Partinë Demokratike të Kosovës, por që sipas tij në politikë nuk thuhet kurrë.
“Sipas mendimit tim, LDK’ja nuk do të pranojë të jetë pjesë e një qeverie me PDK’në sepse i ka arsyet e veta, por pasi që jemi në politikë, nuk duhet të thuhet kurrë” tha Kelemendi.
E sipas tij, për një koalicion të mundshëm me PDK’në për një qeverisje teknike, “mund të ketë ndonjë presion politik” e që e gjitha kjo varet se kush do të jetë kryetar i partisë.
“Varësisht, të shohim se a do të rizgjidhet Mustafa, nëse rizgjidhet ai, bisedat ndërkombëtare do të jenë më ndryshe, por nëse zgjedhjet një i ri, mundet të bie në ndikimin e presionit ndërkombëtar” tha ai.
Por Kelmendi deklaroi se ende është herët sepse edhe presidenti Thaçi edhe ndërkombëtarët e kanë ngadalësuar procesin.
“Është pak herët, edhe heshtja e presidentit e ngadalësoi procesin edhe bashkësia ndërkombëtare është shumë e heshtur me deklarata jodinamike po tregojnë që është temë e cila nuk duhet të dinamizohet” tha ai duke shtuar se “ndoshta po presin që të ftohet situata dhe të konsolidohet LDK’ja”.
E këshilla e tij është që LDK’ja të tregohet gjakftohtë dhe shikojë fuqinë e saj e të mos ketë hidhërime të brendshme.