Kelmendi u kërkon kryeprokurorëve që rastet e lidhura me bashkëpunim juridik ndërkombëtar të trajtohen me prioritet

16:08 | 25 October 2024
kelmendi-u-kerkon-kryeprokuroreve-qe-rastet-e-lidhura-me-bashkepunim-juridik-nderkombetar-te-trajtohen-me-prioritet

Ushtruesi i Detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi, ka mbajtur kolegjiumin e rregullt me të gjithë kryeprokurorët e prokurorive, përfaqësues të prokurorive dhe prokurorët e Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, ku pjesëmarrës ishin edhe përfaqësuesit e Ambasadës së ShBA-së në Kosovë.

Bëhet e ditur se në këtë takim u fol për çështjet penale që ndërlidhen me bashkëpunimin juridik ndërkombëtar, ku Kelmendi ka kërkuar që këto raste të trajtohen me prioritet për të ngritur edhe imazhin e Prokurorit të Shtetit, karshi partnerëve ndërkombëtarë.

“Një çështje tjetër me rëndësi që u diskutua në këtë takim ishte edhe aplikimi procedurave alternative, si procedura efikase dhe produktive për zgjidhjen e rasteve penale nga ana e prokurorëve të shtetit, aplikimi i të cilave do të ndikoj në uljen e rasteve penale, zvogëlimin e kostos shtetit dhe palëve në procedurë, si dhe ekonomizimin e kohës”, thuhet në njoftim.

Kelmendi i kërkoi kryeprokurorëve dhe prokurorive aplikimin e procedurave alternative në çdo rast kur ka mundësi ligjore, duke i inkurajuar ata, sipas tij, që të angazhohen në rritjen e efikasitetit në aplikimin e procedurave alternative.

Komento: