Këmbëngul Vuçiq: Nuk ka dorëzim, KM mbetet

12:10 | 27 October 2022

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka paralajmëruar “rezistencë të popullatës serbe” në rast se Kosova nuk lejon lëvizjen e automjeteve me targa KM (Kosovska Mitrovica), të lëshuara nga autoritetet serbe.

Ai e bëri këtë deklaratë pas takimit të Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Serbisë dhe takimit me përfaqësuesit e partisë kryesore serbe në Kosovë, Lista Serbe.

“Plani i tyre (i Kosovës) është që ato vetura të lëshojnë (Kosovën) duke moslejuar që të kthehen në territorin e Kosovës”, tha ai.

“Ajo me siguri do të hasë në rezistencën demokratike nga populli serb dhe shteti i Serbisë nuk do të lejojë persekutimin dhe vrasjen e popullit të saj”, tha Vuçiq.

“Ne jemi të gatshëm të vazhdojmë bisedimet, por ka gjëra që nuk mund t’i pranojmë. Ne i kemi njoftuar për këtë, nuk do të hyj në detaje”, tha Vuçiq.

“Ne pranojmë targa neutrale ndaj statusit – KS, por ata nuk dëshirojnë të dëgjojnë për to”, tha Vuçiq.

Sipas Marrëveshjes për lirinë e lëvizjes, që Kosova dhe Serbia arritën më 2011 në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, parashihej që të përdoreshin targat RKS (Republika e Kosovës) ose KS (targa me status neutral). Kjo ishte paraparë të ishte masë e përkohshme për një periudhë pesëvjeçare.

Kosova dhe Serbia më 2016 u pajtuan që të vazhdonin vlefshmërinë e targave KS edhe për pesë vjet, që nënkupton se vlefshmëria e tyre skadoi në 2021.

Presidenti i Serbisë tha se në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare është diskutuar edhe për planin franko-gjerman për Kosovën, i mbështetur nga Shtetet e Bashkuara.

Propozimi franko-gjerman nuk është bërë publik dhe nuk dihet se çfarë përmban saktësisht. Siç është raportuar dhe komentuar në Kosovë dhe Serbi, Franca dhe Gjermania kanë propozuar që Serbia të lejojë hyrjen e Kosovës në institucionet dhe organizatat ndërkombëtare, përfshirë Kombet e Bashkuara, në këmbim të anëtarësimit të shpejtë të Serbisë në Bashkimin Evropian.

Komento: