Kënaq qytetarët parakalimi i Ushtrisë e Policisë së Kosovës

14:15 | 17 February 2023

Parakalimi i Ushtrisë e Policisë së Kosovës kënaq qytetarët.

Për nder të 15 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, në sheshet e Prishtinës parakaluan pjesëtarë të Ushtrisë së Kosovës dhe ata të Policisë së Kosovës.

Para se parakalimi të niste, fjalë rasti mbajtën presidentja e vendit, që njëherësh është edhe Komandante Supreme e FSK-së, Vjosa Osmani, si dhe kryeministri Albin Kurti.

Presidentja Osmani ka thënë se ushtria dhe policia e Kosovës janë të gatshme për të ruajtur çdo cep të territorit të Kosovës.

Në manifestimin qendror të shënimit të 15 vjetorit të pavarësisë, Osmani tha se ushtarët dhe policët tanë janë pasardhës të Ushtrisë Çlirimtare.

“Jo rastësisht, trupat e ushtrisë sonë, Forcës së Sigurisë dhe të Policisë së Kosovës do të parakalojnë sot në tri sheshe emblematike, të cilat përmbledhin dhe gërshetojnë një pjesë të madhe të historisë sonë. Do të fillojnë nga sheshi “Ibrahim Rugova”, do të vazhdojnë nëpër sheshin “Nëna Terezë”, e do të kthehen këtu tek sheshi “Zahir Pajaziti”, e pas nderimit ndaj 15-vjetorit të pavarësisë së shtetit, kuadratet e tyre do të kthehen në kazermën, e cila mban emrin e ikonës së luftës sonë çlirimtare, komandantit legjendar Adem Jashari”, tha Osmani, raporton Klankosova.

“Vajzat dhe djemtë e Ushtrisë dhe Policisë sonë, në këtë ditë feste”, Osmani tha se “do të marshojnë nga sheshi pra që mban emrin e arkitektit të shtetit të Kosovës, atit themeltar, presidentit historik, dr.Ibrahim Rugova, i cili edhe tani po na shikon nga atje, duke u ndier jam e bindur krenare me sukseset e shtetit tonë”.

“Republika jonë mban vulën e sakrificës së tre mijë dëshmorëve të UÇK-së të cilët u udhëhoqën nga komandanti legjendar Adem Jashari. Liria, pavarësia dhe shteti ynë janë testamenti i tij dhe i shumë brezave, ndaj përulemi me respekt para tyre”, theksoi Komandantja Supreme e FSK-së.

Ajo shtoi se kuadratet e ushtrisë, të cilat sot parakalojnë para nesh së bashku me Policinë e Kosovës janë pjesa më e ndritshme e historisë së re të Kosovës dhe ndërlidhja e dy periudhave historike, të cilat i dhanë udhë lirisë së vendit tonë, shtetformimit dhe shtetndërtimit.

“Sikurse ushtria jonë që dëshmohet e na bën krenarë çdoherë, edhe Policia e Kosovës, e cila së fundi u përballë me angazhim të shtuar nga zhvillimet në veri të vendit ka treguar përkushtim e vendosmëri për ta ruajtur rendin dhe ligjin, por mbi të gjitha për ta ruajtur sovranitetin në çdo cep të Republikës së Kosovës. Këta vajza e djem, janë pasardhësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët e kthyen dhe mbrojtën dinjitetin e popullit tonë. Prandaj, faleminderit secilit veç e veç”, u shpreh presidentja.

Veç tjerash, e para e shtetit falënderoi edhe miqtë e Kosovës, “në radhë të parë faleminderit për Shtetet e Bashkuara të Amerikës aleatët tanë të përjetshëm, faleminderit për të gjitha shtetet anëtare të NATO-s si dhe shtetet e tjera mike anekënd botës, të cilat duke mbështetur të drejtën tonë për të jetuar të lirë, u vendosën në anën e duhur të historisë”.

“Forca jonë është profesionale dhe e gatshme kurdo në mbrojtjen e sovranitetit dhe të paprekshmërisë së territorit të Republikës sonë, andaj sot së bashku me ju qytetarë të nderuar do të kemi mundësinë që ushtrisë sonë e Policisë sonë t’i themi së bashku faleminderit gjatë këtij parakalimi. Si shoqëri dhe si shtet i detyrohemi ushtarëve tanë e policisë sonë si dhe sakrificës së tyre. Ata janë mishërim i vetëmohimit dhe i shërbimit. E pavarësia jonë nuk është vetëm çlirim nga robëria, por edhe përpjekje e çdoditshme e jona për një shoqëri të bazuar në drejtësi, barazi dhe prosperitet për të gjithë qytetarët pa dallim”.

“Prandaj, le të punojmë së bashku për të ndërtuar një të ardhme më të ndritshme për vendin tonë dhe brezat që do të vijnë. Periudha në të cilën po kalon shteti ynë, në këtë kohë të sfidave dhe kërcënimeve globale, shton nevojën e bashkimit tonë në një front, në të mirë të Republikës. Sepse, vetëm kur jemi bashkë jemi të suksesshëm. Republika jonë është e shenjtë dhe ne duhet ta trajtojmë dhe ta ruajmë si të tillë”.

“Republika e Kosovës është e përjetshme, siç do të jenë të vazhdueshme edhe përpjekjet tona për ta fuqizuar atë dhe për të vazhduar për t`u ndje krenarë me shtetin, i cili është interesi ynë mbi secilin interes tjetër”, përfundoi presidentja Vjosa Osmani.

Para qindra qytetarëve, fjalën e mori edhe kryeministri Albin Kurti, i cili tha se ushtarët dhe policët e Kosovës kanë treguar aftësi dhe profesionalitet.

Ai tha se buxhetin për mbrojtje po e rrisin vazhdimisht.

“Këta janë të betuar për të mbrojtur sovranitetin dhe rendin dhe ligjin në Kosovë”, tha ai.

Në fund, Osmani dha urdhrin që të niste parakalimi.

Gjatë paradës së pjesëtarëve të FSK-së dhe Policisë, shumë qytetarë ishin mbledhur për të parë nga afër forcat mbrojtëse të vendit. Ata u ndanë shumë të lumtur.

Komento: