Kenia thotë se Pacollin e kanë pranuar si të deleguar të Presidentes Osmani për t’ia dorëzuar njohjen

20:08 | 26 March 2025
kenia-thote-se-pacollin-e-kane-pranuar-si-te-deleguar-te-presidentes-osmani-per-t’ia-dorezuar-njohjen

Pas 17 vjetësh Pavarësi, Kenia ka njohur zyrtarisht Republikën e Kosovës si shtet të pavarur, duke u bërë shteti i 118 që i jep njohjen.

Njohja nga shteti afrikan erdhi, pas katër vitesh mungesë njohjeve për Kosovën, që kur Izraeli e njohu vendin si rezultat i Marrëveshjes së Washingtonit.

Në një postim në Ministrisë së Jashtme të Kenias thuhet se ky shtet ia dorëzoi njohjen ish-presidentit Behgjet Pacolli, si i dërguar i presidentes aktuale Vjosa Osmani.

“Keni e ka njohur shtetin e Kosovës. Kosova e deklaroi pavarësinë e saj më 17 shkurt 2008 dhe mori miratimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GND) në vitin 2010. Kenia e ka njohur Kosovën në interes të paqes dhe sigurisë ndërkombëtare, integritetit territorial dhe për forcimin e marrëdhënieve me vendet e Ballkanit. Në këtë kuadër, Presidenti Ëilliam Ruto sot ka pritur dërguarin e veçantë të Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, Behgjet Pacoli, në Nairobi.”, thuhet në njoftim.

Sot, Pacolli bëri të ditur se Republika e Kenias ka njohur shtetin e Kosovës. Pacolli ka shkruar se një nga shtetet më të rëndësishme të Afrikës tashmë ka njohur zyrtarisht Kosovën.

“Sot, Kosova shkruan histori! 17 vjet pas Pavarësisë, në një ceremoni të jashtëzakonshme e të paharrueshme, Republika e Kenias – një nga shtetet më të rëndësishme të Afrikës – e njohu zyrtarisht Republikën e Kosovës si shtet të pavarur dhe sovran! Kjo njohje nuk është thjesht një deklaratë – është një fitore e madhe për shtetin e Kosovës, është zëri i lirisë sonë që dëgjohet thellë në zemrën e Afrikës! Sot, flamuri ynë i shtetit ngrihet lart me krenari në Nairobi, dhe kjo është një dëshmi se Kosova ecën përpara, fuqishëm dhe me dinjitet kur punohet dhe ka vullnet për të”, ka shkruar  Pacolli në Facebook.

Tutje ai ka thënë se kjo fitore për Kosovën është si rezultat i një pune të gjatë e përkushtim e sakrificë, dhe se siç ka thënë ai që nga vitit 2009 ka punuar për këtë njohje.

Ai gjithashtu ka përmendur se në vitin 2019 presidenitian kenian kishte vizituar Kosovën dhe kishte dhënë fjalën për njohjen e pavarësisë qysh në vitin 2016.

“Kjo fitore nuk erdhi rastësisht. Ajo është fryt i një pune të gjatë, të palodhur, me përkushtim e sakrificë. Që nga viti 2009, unë personalisht kam lobuar dhe kam biseduar me autoritetet keniane për ta bërë këtë ditë realitet. Kam shkuar derë më derë, zyrë më zyrë, me vetëm një qëllim – të bëj të njohur zërin dhe të drejtën e popullit të Kosovës për liri, pavarësi dhe sovranitet”, shkruan mes tjerash Pacolli në Facebook.

Pak më  vonë njohjen e konfirmoi edhe presidentja Vjosa Osmani.

Osmani ka thënë se kjo njohje është një dëshmi e mbështetjes së vazhdueshme për të drejtën e popullit të Kosovës për liri, pavarësi, sovranitet dhe integritet territorial.

“Në emër të institucioneve dhe qytetarëve të Kosovës, shpreh falënderime të sinqerta ndaj presidentit të Kenias, William Ruto, për këtë vendim të drejtë dhe të rëndësishëm, si dhe ndaj institucioneve dhe qytetarëve kenianë që mbështetën këtë hap të madh diplomatik.

Përgjatë këtyre viteve, kam zhvilluar disa takime të rëndësishme me të, dhe në të cilat njohja e Kosovës ka qenë temë kryesore e diskutimeve. Presidenti Ruto vazhdimisht siguronte popullin e Kosovës se vendimi për njohje do të merret shpejtë, bazuar në të drejtën ndërkombëtare dhe në sakrificën e gjatë të popullit tonë”, ka shkruar Osmani.

Ajo ka shprehur mirënjohje edhe për ish-Presidentin e ish-Ministrin e Punëve të Jashtme, Behgjet Pacollin.

“Kosova vazhdon të ecë përpara në rrugën e saj të integrimit dhe fuqizimit të pozitës së saj ndërkombëtare. Marrëdhëniet në mes të Kosovës dhe Kenias do të thellohen në fusha të ndryshme, ndaj presim që shumë shpejt të vendosim marrëdhënie diplomatike, duke ndërtuar një partneritet të fortë dhe afatgjatë në mes dy shteteve dhe popujve tanë”, ka shkruar Osmani.

Komento:
loading