Këputen telat e rrymës, rrezikohet familja nga Obiliqi

16:31 | 24 Dhjetor 2018

Një shqetësim mjaftë i madh ka ndodhur për banorët e Obiliqit.

Në fshatin Llazarevë të komunës së Obiliqit sot janë këputur telat e rrymës, si pasojë e tensionit të lartë. Një banor i këtij fshati ka thënë për Express se kanë qenë të rrezikuar nga kjo prishje.

Një qytetar e ka paraqitur rastin, derisa ka shtuar se për fat të mirë nuk ishin në oborrin e shtëpisë në momentin kur telat janë shkëputur, sepse kjo, sipas tij, mund të paraqiste rrezik të madh.

Zëdhënësi për Informim nga KEDS-i, Viktor Buzhala, i ka thënë se ekipi i cili përkujdeset për sanimin e prishjeve është në terren.

“Ekipet kanë dalë në terren dhe po kryejnë punën e tyre për të ndrequr problemet e rrymës”, ka thënë Buzhala.

Se ndreqja e telave të këputur ka filluar, e ka konfirmuar edhe qytetari D.B, i cili ka thënë se pas dy orësh që e ka lajmëruar rastin, ekipi i KEDS-it ka arritur në shtëpinë e tij.

“Po kanë ardhë nja dy orë pasi e kam lajmëruar rastin, momentalisht janë duke punu me e ndreqë. Fatmirësisht ne nuk ishim në shtëpi kur ka ndodhur sepse gjithë ai tension i lartë ka mundur të na vrasë dikë”, është shprehur D.B, i cili ka ardhur nga diaspora në Kosovë për të kaluar festat e fundvitit.

Komento: