Keqpërdorimi 8 milionësh: Prokuroria Speciale nis hetime për tenderin në Aeroport në kohën kur udhëhiqej nga Bekim Jashari

16:20 | 01 October 2021

Task-Forca Anti-korrupsion në kuadër të Prokurorisë Speciale të Kosovës, ka filluar hetimet lidhur me një keqpërdorim të vitit 2011, që kishte ndodhur në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës.

Dyshohet se në tenderin për paisjet e navigacionit ajrorë ishin keqpëdorur mbi 8 milionë euro. Asokohe, drejtor i Bordit të Aeroportit ishte Bekim Jashari.

Prokuroria Speciale e Kosovës është duke hetuar një tender të vitit 2011, ku dyshohet për keqpërdorime disa milionëshe në Aeroportin e Prishtinës. Në këtë hetim përflitet emrin i Bekim Jasharit dhe Bahri Nuredinit.

Por, për çfarë bëhet fjalë?

Në vitin 2011 AShNA (Agjencia për Shërbime të Navigacionit Ajror) kishte shpallur tenderin për projektin “Furnizimi dhe instalimi i pajisjeve të navigimit ajror”.

Vlera e këtij tenderi peshonte 8.1 milionë euro.

Kontrata i ishte dhënë, një kompanie me emrin “TCN” dhe ai ishte gati i finalizuar, por për shkak të një borxhi prej afro 600 mijë eurove, që AShNA-i i kishte kësaj kompanie, ajo e paditi këtë institucion. Me këtë, kontrata praktikisht u prish dhe projekti nuk u realizua.

Pjesa më e madhe e parave i ishte dhanë kompanisë “TCN-së”, por shumica e pajisjeve kurrë nuk u sollën në Aeroport nga kjo kompani private.

Për këtë skandal në Aeroportin e Prishtinës, hetuesit e Zyrës së Bashkimit Evropian për Inteligjencë Kriminale kishin bërë një raport të veçantë. Raporti që ishte publikuar në media, ngriste dyshime për keqpërdorime financiare në projekte milionëshe.

Hetuesit e EUOCI’it kishin rekomanduar se këto dyshime duhet të hetohen me patjetër.

Kjo çështje nuk ishte mbyllur kurrë, dhe tani Task Forca Anti-Korrupcion në kuadër të Prokurorisë Speciale të Kosovës është duke intervistuar të gjithë dëshmitarët dhe të ndërlidhurit më atë rast.

Procesi tani ndodhet në fazën e intervistimit të dëshmitarëve.

Për Periskopin këtë e kanë konfirmuar edhe ish-zyrtarë qeveritarë (të asaj kohe) të cilët këtë ditë janë intervistuar në cilësi të dëshmitarëve lidhur me këtë çështje.

Periskopi ka drejtuar pyetje edhe në prokurori, që po heton këtë rast, po nuk ka marrë ndonjë përgjigje zyrtare.

Në atë kohë, në vitin 2011, drejtor i Bordit të ANP-së, ishte Bekim Jashari ndërkaq drejtor i Agjencisë për Shërbime të Navigacionit Ajror (AShNA) ishte Bahri Nuredini.

Çka e lidh Bekim Jasharin dhe Bahri Nuredinin me tenderin mbi 8 milionësh për radarin që nuk u ble kurrë ?

Bekim Jashari ishte emëruar kryetar i Bordit të drejtorëve të Aeroportit më 1 korrik të vitit 2008.

Pas një viti, më 2009, Aeroporti i Prishtinës, i drejtuar nga Jashari, do të emëronte drejtorin e ri të financave, një prej pozitave më të rëndësishme në ndërmarrje publike. Në këtë post të rëndësishëm u emërua djali i hallës së tij, Bahri Nuredini.

Gjatë asaj kohe Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës po bëhej gati për t’u dhënë me koncesion. Në pronësi shtetërore kishte mbetur vetëm Kulla-kontrolli i trafikut ajror. Stafi drejtues i ndërmarrjes së koncesionuar ishte bartur tek pjesa që do të mbeste në menaxhim të shtetit.

Bekim Jashari më 2011 do të kalonte në postin e kryetarit të bordit të drejtorëve të ndërmarrjes publike “Aeroporti i Prishtinës-Kontrolli i Trafikut Ajror”.

E njëjta histori si ajo e vitit 2009 do të përsëritej edhe më 2013. Bahri Nuredini, nipi i Bekim Jasharit, do të emërohej kryeshef ekzekutiv i kësaj ndërmarrjeje publike. Deri në vitin 2013, Nuredini ishte ushtrues detyre i kryeshefit ekzekutiv të kësaj ndërmarrjeje.

Agjencia Kundër Korrupsionit e pati vlerësuar si nepotizëm emërimin e Nuredinit, në një pozitë e cila i jep llogari dajës së tij.

Raporti i hetuesve europian (EUOCI), shkonte edhe më larg, duke ngritur dyshime se Bahri Nurdini dhe Bekim Jashari, tash kryetar i Skenderajt e që dikur shërbeu si kryetar i bordit i Autoritetit të Aviacionit Civil të Kosovës, kanë ngritur një firmë ndërtimore me emrin “Premium Group”, me të cilën ndërtojnë ndërtesa në Prishtinë, dhe se paratë për këtë biznes profitabil mund t’i kenë marrë nga ndonjë projekt në Aeroport.

Komento: