
Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Prizrenit, Petrit Kryeziu ka treguar se dëmi i shkaktuar ndaj Byrosë Kosovare të Sigurimeve (BKS) nga ish drejtori ekzekutiv Sami Mazreku dhe ish drejtori i Financave i BKS-së, ka tejkaluar vlerën e 1 milion eurove.
Në një konferencë për media pas aksionit ku cak ishin 47 persona, Kryeziu ka treguar se Sami Mazreku e Valon Berisha Berisha kanë keqpërdorur autorizimet që iu janë besuar nga BKS, duke ua mundësuar personave të ndryshëm dhe përmes tyre edhe vetvetes transaksionet.
“Rast ku ne sot kemi marrë urdhëresat e gjykatës për bastisjen e shtëpive dhe lokacioneve të 47 personave, mes tyre edhe një person juridik. Mund të konfirmojmë që këtij aksioni i ka paraprirë edhe aplikimi i masave të veçanta hetimore. Fjala është për keqpërdorimet që janë bërë në Byronë Kosovare të Sigurimeve. Cak i hetimeve është ish-drejtori ekzekutiv dhe ish-drejtori i financave të BKS-së, të cilët, duke keqpërdorur autorizimet që iu janë besuar nga BKS, iu kanë mundësuar personave të ndryshëm dhe vetvetes që të realizojnë transaksione, ku kanë arritur përfitime të mëdha për vete dhe i kanë shkaktuar dëm BKS-së. Po ashtu, kanë keqpërdorur autorizimet ekonomike dhe kanë përpiluar dokumente të falsifikuara, ku ne deri në këtë fazë kemi vlerësuar se ato dokumente të dyshuara i kanë përdorur për përfitime personale dhe i kanë shkaktuar dëm BKS-së në vlerë prej 1 milion e 43 mijë euro”, tregoi Kryeziu.
Deri më tani kanë siguruar 166 transaksione.
“Deri në këtë fazë ne kemi arritur që të sigurojmë 166 transaksione të dyshimta. Në mesin e tyre 25 transaksione kanë të bëjnë me 12 persona, me të cilët kanë arritur ujdi fiktive jashtëgjyqësore, kinse si përfaqësues të personave që më herët kanë pasur aksidente në komunikacion dhe i kanë kompensuar në vitin 2022 dhe 2023 përderisa personat tjerë kanë qenë të kompensuar në 2016 dhe 2017”, shpjegoi ai.