
Deputeti i Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Ilir Kërçeli gjatë diskutimit në seancën plenare për rritjen e çmimit të energjisë dhe kostot e jetesës tha se opozita po synon të thjeshtëzoj çështjen komplekse që varet drejtpërdrejt nga zhvillimet ndërkombëtare.
Kërçeli në foltoren e Kuvendit të Kosovës tha se çmimet e naftës nuk caktohen në Prishtinë, por në tregjet ndërkombëtare, shkruan KlanKosova.tv.
“Sot po e diskutojmë një temë që prekë drejtpërdrejt çdo familje në Kosovë. Çmimin e naftës, koston e jetesës dhe stabilitetin ekonomik. Si zakonisht opozita përpiqet ta thjeshtëzoj një çështje komplekse në një akuzë të vetme që Qeveria nuk po ndërhyn. Kjo është një çasje joserioze ndaj realitetit ekonomik global. Duhet ta kuptojmë kontekstin çmimet e naftës nuk caktohen në Prishtinë, por në tregjet ndërkombëtare”, tha Kërçeli.
Tutje, ai tha se me presionin e rritjes së çmimeve po përballen njësoj edhe vendet e rajonit dhe shtetet e Bashkimit Evropian.
“Pas pandemisë dhe sidomos pas krizës energjetike të shkaktuar nga lufta në Ukrainë dhe së fundmi luftës në Iran, çmimet e energjisë dhe naftës janë rritur në të gjithë botën. Nga vendet e BE deri në rajon, qytetarët janë përballur me të njëjtin presion”, tha ai.