
Ish-deputeti i Vetëvendosjes, Ilir Kërçeli, ka komentuar raportet mes kryeministrit Albin Kurti, dhe, ish-presidentes Vjosa Osmani, duke kujtuar një deklaratë të kësaj të fundit, e duke thënë se Osmani i kishte quajtur të gjithë ata ‘’bixhozli’’.
Kërçeli, ka deklaruar edhe se, VV’ja i ka qëndruar besnike qytetarëve si dhe, bashkëpunimit me Osmanin.
‘’I kemi qëndru besnikë edhe vlerësimit të qytetarëve, por i kemi qëndruar besnikë edhe bashkëpunimit me ish-presidenten zonja Osmani. Sepse nga ajo rezultat ne ia kemi besuar pozitën e presidentes së Kosovës, dhe disa ministri të cilat kanë qenë në bashkëqeverisje me subjektin Guxo. Tash gjatë atij rrugëtimi, kur ne nuk e krijojmë asnjë pengesë, nuk e bëjmë asnjë ofendim, e ruajmë zonjën Osmani në disa momente, nuk mundeni tash në një mëngjes atje, në foltore të Kuvendit të quhemi të gjithë bixhozgji, dhe pastaj ky bashkëpunim të vazhdojë sikur s’ka ndodhur asgjë. Ato ndoshta janë deklarata të zonjës Osmani për disa ngjarje të cilat ne nuk i dimë. Për ato tavolinat e mbyllura ku ka mbajtur takime zonja Osmani, unë nuk jam i informuar dhe nuk është i informuar as publiku’’, ka thënë ai.
Ndryshe, Osmani, gjatë një fjalimi të saj në Kuvend, kishte thënë se ‘’luajta bixhoz’’ me aleancat e Kosovës, është cenim i mbrojtjes së Kosovës, deklaratë e cila, ishte vlerësuar se kritikë ndaj Kurtit.
“Aleancat janë këtu për të na mbrojtur. Prandaj vënia në rrezik e tyre, luajtja bixhoz me to apo cenimi i tyre, cenon vetë mbrojtjen e Republikës sonë. Shihni deklarimet e liderëve të superfuqive botërore. Do të shihni qindra deklarata e fjalime se si çdo sfidë angazhohen ta kapërcejnë bashkë me aleatët sepse nuk mund t’ia dalin të vetëm. Prandaj asnjëherë nuk i kam kuptuar e as mirëkuptuar talljet që bëhen në llogari të aleatëve, as sulmet ndaj tyre, as keqpërdorimin e emrit të tyre për të fituar pushtet. Kjo nuk i bën nder Kosovës”, vijoi Osmani.