Kërcënimi ndaj Valdete Dakës, kërkohet hetim nga Policia

12:15 | 21 Janar 2021

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut ka kërkuar të ndalen sulmet dhe kërcënimet ndaj KQZ-së, anëtarëve të KQZ-së sikur edhe kryetares, Valdete Daka në mënyrë që të mos pengohet puna e tyre në organizimin dhe mbarëvajtjen e zgjedhjeve.

KMDLNj, gjithashtu kërkon që policia e Kosovës të hetojë të gjitha kërcënimet eventuale ndaj KQZ-së dhe, nëse paraqitet nevoja të sigurojë kushte për punë të papengueshme .

“Subjektet politike duhet të tregohen të përgjegjshme dhe të zbatojnë vendimet e KQZ-së, pasi t’i kenë shfrytëzuar rrugët ligjore dhe të mos lejojnë zbatim të standardeve të dyfishta. Pikërisht këta, me shembullin e tyre duhet të tregojnë se janë për ligjin, shtet të së drejtës dhe shtet ligjor pavarësisht forcës politike, përkatësisë partiake, etnike etj”, thuhet në një komunikatë .

Sipas KMDLNj-së, në prag të zgjedhjeve të parakohshme të 14 shkurtit, KQZ po i nënshtrohet një presioni të palejueshëm e që ndikon në mbarëvajtjen e punës.

“Presioni është krejtësisht i natyrës politike e që, për qëllim e ka nënshtrimin e KQZ-së ndaj subjekteve të caktuara politike”, thuhet tutje në reagimin e KMDLNj.

KMDLNj thotë se ky është rast tipik i përpjekjes për legalizim të përdorimit të standardeve të dyfishta.

Ndërkohë, edhe Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) reagon ndaj gjuhës kërcënuese të përfaqësuesve të partive politike ndaj krerëve të institucioneve kushtetuese, duke e vlerësuar si të papranueshme dhe dënueshme.

Sipas IKD-së, partitë politike përmes përkushtimit të tyre duhet të dëshmojnë se kanë për qëllim respektimin e sundimit të ligjit, duke zbatuar vendimet e instancave gjyqësore dhe institucioneve tjera respektove dhe jo duke kërcënuar krerët e tyre me fjalor të papranueshëm.

“IKD ua rikujton përfaqësuesve dhe partive politike se kushdo që ka pakënaqësi me vendimet e institucioneve kushtetuese dhe ligjore, ato mund t’i shprehim vetëm përmes rrugëve kushtetuese dhe ligjore, duke shfrytëzuar mjetet juridike. Në këtë fazë të ndjeshme nëpër të cilën po kalon vendi në përballje me pandeminë Covid 19 si dhe me sfidat në organizimin e procesit të zgjedhjeve të parakohshme, IKD kërkon nga partitë politike që të përmbahen nga gjuha joadekuate, aq ma tepër nga gjuha kërcënuese. Gjuha e tillë është e papranueshme dhe cënon parimet e demokracisë në vend. IKD vazhdimisht ka theksuar se në Kosovë, kemi institucione me integritet të kontestuar, por kjo assesi nuk nënkupton se vendimet e tyre nuk duhet të respektohen. Përkundrazi, vendimet duhet të zbatohen me përpikëri, ndërsa rruga për t’i kontestuar ato mbetet vetëm rruga kushtetuese dhe ligjore”, thuhet në reagim.

Glauk Konjufca mbrëmë në një intervistë në RTV Dukagjini ka deklaruar se brenda KQZ’së një person me emrin Valdete Daka është kundër Albin Kurtit.

“Personi i cili në KQZ po ndikon që edhe kërkesa me qenë sugjestive dhe kundër Albin Kurtit është Valdete Daka. Ata kurgjo nuk po zbatojnë (KQZ), po duan eliminim politik”, ka deklaruar Konjufca.

Ndërkohë, edhe deklarata e Albin Kurtit se institucionet e Kosovës duhet t’i përgjigjen vullnetit të popullit, është konsideruar si tentim për ndërhyrje në punën e KQZ-së.

Komento: