Kërcënohet me jetë drejtori i KEK-ut, Njazi Thaçi

10:46 | 08 December 2018

Drejtori i Korporatës Energjetike të Kosovës, Njazi Thaçi, është kërcënuar mbrëmë para hyrjes së banesës së tij nga dy persona.

Kërcënimi ka ardhur pas publikimit të konkursit për punë që KEK ka hapur së fundmi për disa pozita të larta. Thaçi ka treguar se personat që ia kanë zënë pritën nuk i njeh dhe të njëjtit janë thirrë në emër të një personi tjetër. Më pas ia kanë lënë edhe një letër.

“Kërcënimi ka ndodhë rreth orës 17:15 te banesa ime. Dy veta janë kanë janë thirrë në emër të dikujt tjetër, nuk i kam njohur”, tha Thaçi.

Me tej ka treguar se të njejtit ia kanë lënë një letër por që nuk e ka lexuar, duke shtuar se ia ka lënë policisë që të merret me rastin.

“Ma lan një letër të cilën s‘e kam kqyrë”, tha Thaçi për Express.

Thaçi tha se personat nuk kanë tentuar ta sulmojnë fizikisht por gjithçka lidhur me kërcënimin ka ndodhur me fjalë.

Ndryshe, kërcënimi ka ardhë pas hapjes së konkursit të fundit në KEK, ku po kërkohen punëtorë për disa pozita të larta si: Ekspert i lartë për përfaqësime, ekspert i lartë për pronë, zyrtar i lartë për raportime, drejtor i njësisë për menaxhimin e projektit etj.

Rastin në fjalë e ka konfirmuar edhe policia, mirëpo nuk dihet ende nëse këta kanë rënë në gjurmët e personave që kërcënuan Njazi Thaçin.

“Rreth orës 18:00 në stacionin policor Qendra në Prishtinë është hapur një rast kanosje. Rasti ka ndodhur në rrugën “Xheladin Hana “ në Prishtinë. Nga persona të dyshuar është kërcënuar ankuesi N.Th”, ka konfirmuar policia.

Rasti është duke u hetuar.

Komento: