Kërcënoi kryeministrin Haradinaj, ja ҫfarë ndodhi me të dyshuarin

12:04 | 14 Janar 2019

Është marr vendimi për personin i cili kërcënoi Kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinajn.

Gjykata Themelore në Prishtinë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për caktimin e masës së ndalimit kundër të pandehurit B.Elashani për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprat penale Përgatitja e veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës nga neni 144 par. 1 lidhur me veprën penale Kryerja e veprës terroriste nga neni 136 e 135 të KPK-së.

Të pandehurit B.Elshani i është caktuar masa e ndalimit në kohëzgjatje prej një muaji.

Ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri B.E nga fundi i vitit 2018 dhe në fillim të vitit 2019 ishte angazhuar në përgatitjen e akteve terroriste në Kosovë ashtu që me datë 10.01.2019, duke shfrytëzuar aplikacionin “Telegram” si administratorë në kanalin “Luajtë e shkretëtirës” ka publikuar foto kërcënuese ndaj Kryeministrit të Republikës së Kosovës Ramush Haradinaj me një mbishkrim e në prapavijë shihet flamuri i organizatës terroriste ISIS, me qëllim të frikësimit serioz të popullatës dhe që seriozisht të destabilizoj strukturat themelore politike e kushtetuese të Republikës së Kosovës, pastaj me intervenimin e pjesëtarëve të Policisë së Republikës së Kosovës DKT në Prishtinë, në telefonin e tij “ Iphone 6” i është gjendur kjo fotografi si dhe një thikë e cila edhe i është sekuestruar nga Policia e Kosovës.

Gjykata ka konstatuar se kërkesa për caktimin e masës së ndalimit kundër të pandehurit B.E është masë adekuate dhe e domosdoshme në këtë fazë të procedurës, për sigurimin e pranisë së tij në procedurën penale dhe zhvillimin e pa penguar të procedurës, po ashtu duke u bazuar në mënyrën dhe rrethanat në të janë kryer veprat penale, peshën e veprave penale, ashtu që nëse i pandehuri qëndron në liri do të mund të përsëris veprat e njëjta apo të ngjashme penale, mund të fshihet, të arratiset me qëllim të shmangies nga përgjegjësia penale.

Palët kanë të drejtë ankese kundër këtij vendimi në Gjykatën e Apelit të Kosovës.

Komento: