Kërcënojnë zjarrfikësit/ Shtesat ose ndërmarrim hapa të tjerë

09:35 | 01 Tetor 2024
kercenojne-zjarrfikesit/-shtesat-ose-ndermarrim-hapa-te-tjere

Qeveria ‘Kurti’ nuk po ua plotëson kërkesat që i kanë tash e disa viteve zjarrfikësve.

Njëra ndër to është ajo e shtesave për rrezikshmërinë, ndonëse për disa muaj që janë duke pritur kompensimin.

Kreu i sindikatës, Muharrem Beka në një prononcim për “Front Online” ka folur lidhur me sfidat me të cilat po përballën zjarrfikësit.

Beka deklaron se nëse nuk merren hapa për shtesat, zjarrfikësit do të marrin hapa të tjerë.

“Ne jemi duke punuar me ligjin e pagave, koeficientin e kemi më të ulët se të tjerët. Zjarrfikësit nuk po kompensohen as këtë muaj as muajin e kaluar për shtesat e rrezikshmërisë. Kemi me ndërmarr hapa”, deklaroi Beka.

Beka thotë se edhe më keq se Qeveritë e kaluara është kjo aktualja.

Sipas tij, gjendja tek kushtet e këtyre punëtorëve nuk po përmirësohet.

“Nuk ka ndonjë ndryshim që ka ndërmarrë Qeveria. Gjendja nuk është duke u përmirësuar. Me qeveritë tjera i kemi pas rrezikshmërinë, tash edhe ajo na është ndërprerë”, thotë Beka.

Beka ka kërkuar nga Qeveria që të përmirësohen kushtet e zjarrfikësve.

Ai thotë se në të gjitha njësitë ku punojnë zjarrfikësit janë në gjendje alarmante.

“Ne jemi duke kërkuar qe gjendja të përmirësohet. Kemi pas premtime, mirëpo kjo nuk ndodhi. Pa sigurime shëndetësore, pa kontrolle sistematike, një gjendje e brishte e cila po na shkakton mjafte telashe në shërbimet e zjarrfikëseve në të gjitha njësitë është një gjendje alarmante”, përfundoi Beka për “Front Online”.

Në Kosovë janë rreth 800 zjarrfikës. Në bazë të rregullores për strukturën organizative të njësive profesionale të zjarrfikjes dhe shpëtimit, për çdo 1.500 banorë nevojitet së paku një zjarrfikës.

Në bazë të kësaj llogaritjeje, Kosova duhet të ketë rreth 1.200 zjarrfikës.

 

Komento: