Bizneset i bëjnë thirrje Qeverisë: Mos i shtrëngoni masat, le të mësohemi me virusi.
Me rritjen e numrit të të infektuarve me koronavirus në vend, është paralajmëruar shtrëngim të masave.
Agim Shahinit, kryetarit të Aleancës Kosovare të Bizneseve (AKB), thotë se mbyllja totale është hap i gabueshëm, pasi sipas tij, njerëzit duhet të punojnë, por njëkohësisht edhe të mësohen të jetojnë me virusin.
Shahini i ka sugjeruar institucioneve të vendit që mos të ketë mbyllje të kufijve ndërmjet Kosovës dhe vendeve të rajonit, ngase ekonomia e këtyre vendeve ndërlidhet njëra me tjetrën.
“Shtrëngimi i masave në kuptim jo të mbylljes janë të nevojshme, por mbyllje nuk do të ketë më asnjëherë, dhe nuk do t’i sugjerojmë institucioneve të Kosovës, që të mbyllet ekonomia siç ka qenë sepse është parë dhe vërtetuar se kjo ka qenë një hap i gabueshëm, sepse ne duhet të punojmë të jetojmë dhe duhet të mësohemi të jetojmë me virusin dhe me masat mbrojtëse, por ekonomia e vendit duhet të ec përpara pa mbyllje, pavarësisht çka ndodh në të ardhmen shtetet si Maqedonia, Shqipëria, Mali i Zi nuk duhet të mbyllen sepse ekonomia e saj është e lidhur, dhe qytetarët janë të lidhur në forma qoftë ekonomike apo kulturore sportive, dhe është parë që kjo ka qenë e dëmshme dhe ne duhet t’i marrim masat e shteteve të Bashkimit Evropian”.
Mes tjerash ai ka potencuar se Pakot Ekonomike nga Qeveria janë të mirëseardhura, por nuk janë të mjaftueshme.
Ai ka thënë se ekonomia ka tkurrje prej 10%, gjithashtu dhe në qarkullim të brendshëm ka rënie e që për këtë kërkohet një pako stimuluese.
“AKB-ja mendon se këto pako ekonomike janë të mirëseardhura por janë të vogla por ne i vlerësojmë edhe mundësitë e buxhetit sepse edhe buxheti ka tkurrje, ekonomia ka tkurrje mbi 10% edhe në qarkullim të brendshëm ka rënie dhe të gjitha këto kërkojnë një pako më stimuluese, po ashtu edhe falje të ndëshkimeve të borxheve, sepse zjarrfikës i krizës ekonomike në vend duhet të jetë Qeveria me politika lehtësuese”.
Shahini thotë se Ligji për Rimëkëmbje Ekonomike ka ende nevojë për plotësim-ndryshime.
“Natyrisht se ka ende nevojë të plotësohet dhe nuk ka nevojë që të priten 7 seanca sikurse në të kaluarën për ta kuptuar deputetët rëndësinë e saj, ekonomia e vendit dhe bizneset e ndryshme për herë të parë kanë nevojë për mbështetjen e institucioneve dhe këtu pash se nuk është në nivelin e duhur përgjegjësia e deputetëve karshi kërkesave të komunitetit të biznesit por edhe të vetë qeverisë në rastin e ligjit për rimëkëmbje ekonomike”.
Ai ka thënë se deri në fund të vitit humbjet e shkaktuar nga pandemia do të jenë rreth 1 miliard euro.
“Dëmet janë të pamatshme dhe nuk ka mekanizëm që mund ti jep saktë shënimet por AKB-ja e ka vlerësuar që deri në fund të vitit humbje do të jenë rreth 1 miliard euro, pakoja e cila është planifikuar e rreth 365 milionë është një e treta e asaj dhe qeveria do të duhet të prodhon më shumë ligje që kanë të bëjnë me mbështetje të ekonomisë së vendit por edhe që kanë të bëjnë me mbështetjen e drejtpërdrejtë të bizneseve dhe të prodhuesve në drejtimin e kësaj 60 milionëshi që ishte hap i parë, nuk janë të mjaftueshme, por nis nga fakti që institucionet e shtetit po heziton t’i miraton ligjet që kanë të bëjnë me rimëkëmbje ekonomike kjo është një zhgënjim i bizneseve i qytetarëve ne parlamentin e Kosovës”, ka thënë Shahini për EO.
“Nuk e besoj që do të mbyllen, por do të ketë më shumë masa mbrojtëse dhe të gjithë pronarët e gastronomisë, hotelerisë duhet të kenë parasysh se duhet të mbajnë distancën dhe maskën dhe të ketë ushqim sa ma të kujdesshëm”.