Kërkesa e kryeministrit spanjoll: Kosova në Samitin e Sllovenisë pa simbole shtetërore?

19:41 | 04 October 2021

Kosova në Samitin e Sllovenisë pa simbole shtetërore? – shkak kërkesa e kryeministrit spanjoll për pjesëmarrje.

Kryeministri i Spanjës, Pedro Sanchez, pritet të marrë pjesë në Samitin e Bashkimit Europian në Slloveni për Ballkanin Perëndimor në të cilin pritet që të mërkurën e ardhshme të marrë pjesë edhe Kosova.

Siç raporton gazeta spanjolle El Periodico, qeveria spanjolle ka marrë garancë, që Kosova do të marrë pjesë në këtë samit pa simbole shtetërore, meqë Spanja nuk e njeh ende si shtet të pavarur, përcjell Klankosova.tv.

”Presidenti i Qeverisë, Pedro Sánchez, do të marrë pjesë të mërkurën e ardhshme në samitin BE-Ballkani Perëndimor në të cilin do të marrë pjesë Kosova, por është garantuar që, për shkak se Spanja nuk e njeh këtë territor si vend, nuk do të ketë simbole në takim që ju identifikon si të tillë”, thuhet në raportimin spanjoll.

Samiti i BE-së, Ballkani Perëndimor, do të mbahet në kryeqytetin e Sllovenisë, ku të martën e ardhshme do të organizohet një takim i udhëheqësve të Bashkimit Europian, ndërsa ditën e ardhshme takimit do t’i bashkangjiten edhe përfaqësuesit e shteteve të Ballkanit.

Ky samit është një takim periodik që vitin e kaluar u mbajt me videokonferencë për shkak të pandemisë.

Herën e fundit që u thirr personalisht, në vitin 2018, nuk mori pjesë presidenti i atëhershëm i Spanjës, Mariano Rajoy, për shkak të pjesëmarrjes së Kosovës.

Në atë samit, simbolet e shtetit të Kosovës u shmangën dhe kjo është ajo që do të ndodhë përsëri në Lubjanë pas kërkesave të Spanjës për këtë, shkruan gazeta me seli në Katalonjë.

Komento: