Kërkesa e lartë e Mallorcas mund ta pengojë transferimin e Muriqit në një klub tjetër evropian

13:06 | 24 May 2023

Mallorca e ka vendosur çmimin për largimin eventual të yllit të saj, Vedat Muriqi, të cilin e transferoi verën e kaluar nga Lazio për 8 milionë euro.

Sidoqoftë, klubi ishullor spanjoll do t’i përfitojë vetëm 55% të parave nga shitja eventuale e yllit kosovar, ndërsa 45% do t’i takojnë klubit italian.

Sipas “Fichajes.net”, klubi spanjoll pret ta shesë “Piratin” për së paku 25 milionë euro, ndërsa klauzola e shkëputjes së kontratës së tij sillet rreth 40 milionë eurove.

Përfaqësuesi kosovar ka qenë lojtar kyç i Mallorcas duke shënuar gola të rëndësishëm, duke e përdorur aftësinë e tij, mbi të gjitha fizike.

Dhe, paraqitjet e tij e kanë zgjuar interesimin e klubeve të ndryshme evropiane, edhe pse situata e kontratës së tij do t’i komplikonte negociatat për transferimin në një klub tjetër.

Përkundër kësaj, klubet e interesuara pritet të bëjnë oferta gjatë afatit kalimtar të verës.

Muriqi i ka shënuar 14 gola dhe i ka bërë 4 asistime në 34 ndeshje zyrtare në të cilat ka luajtur këtë sezon, ndërsa e ndihmoi Mallorcan që ta ketë një sezon të qetë.

Mallorca do të mundohet të nxjerrë sa më shumë para nëse e shet Muriqin, në mënyrë që t’i nxjerrë të paktën paratë që i ka investuar në të.

Edhe pse klauzolën ia ka vendosur afro 40 milionë euro, klubi i La Ligas do të pranojë të negociojë edhe për një shumë më të ulët se kjo, shkruan “Gazeta Express”.

E ardhmja e Muriqit në Mallorca nuk është e sigurt, edhe pse ai e ka përsëritur disa herë se ndihet i lumtur aty, ndërsa është bërë edhe mjaft i dashur për tifozët, të cilët shpresojnë që klubi të mos e shesë “Piratin” e tyre.

Komento: