Kërkesa e prokurorisë, t’i hiqet imuniteti zyrtarit rus që u prangos dje në Veri

17:23 | 29 May 2019

Një shtetas rus është prangosur dje gjatë aksionit të Njësisë Speciale në veri të Kosovës.

Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Mitrovicës Shyqyri Syla ka kërkuar nga Departamenti i Protokollit të Shtetit në MPJ heqjen e imunitetit për shtetasin rus M.A, punëtor i UNMIK-ut.

Siç njofton kumtesa, kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Mitrovicës Shyqyri Syla i është drejtuar Departamentit të Protokollit të Shtetit në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, në lidhje me heqjen e imunitetit për shtetasin rus M.A, punëtor i UNMIK-ut, i cili është subjekt i procedurës penale pranë Prokurorisë Themelore në Mitrovicë.

“Për të njëjtin dhe 7 persona tjerë Prokuroria Themelore e Mitrovicës me datë 28 maj 2019, ka filluar hetimet për shkak të dyshimit të bazuar për kryerjen e veprave penale “Pengimi i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare” nga neni 401 paragrafi 5 lidhur me paragrafin 1 dhe 2 e lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, dhe “Pjesëmarrja në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizmi” nga neni 403 paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.

Kryeprokurori Syla ka kërkuar nga Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës që në pajtim me ligjin për Statusin Imunitetet dhe Privilegjet e Misioneve Diplomatike, Konsullore dhe Personelin e Kosovës dhe Praninë Ndërkombëtare ushtarake dhe personelin e saj (Ligji Nr.03/L-033), që ta procedojë këtë kërkesë tek Përfaqësuesi Special i Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara për heqjen e imunitetit të shtetasit rus. /ORAinfo/

Komento: