Kërkesa me e re e Serbisë, “treshja e madhe” të vendosë për Kosovën

09:43 | 19 Dhjetor 2018

Serbia po kërkon që dialogu mes Kosovës dhe Serbisë të të kalojë nën udhëheqjen e Kombeve të Bashkuara.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit në OKB për Kosovën kërkoi që vazhdimi i dialogut mes Beogradit dhe Prishtinës të ketë rol më të madh të Kombeve të Bashkuara.

Media serbe shkruan se edhe në të kaluarën kishte kërkesa që procesi të jetë nën udhëheqjen e organit ndërkombëtar,

Mirëpo, sipas mediave serbe, kundërshtimi ka ardhur nga Brukseli që për plot tetë vite pa sukses ka udhëhequr dialogun mes Beogradit dhe Prishtinës për normalizimin e raporteve.

Shefi i diplomacisë serbe, Ivica Daçiq ka thënë se tani ndoshta është momenti më i mirë që çështja e Kosovës të kthehet tek Kombet e Bashkuara.

“Do të ishte e dobishme për procesin e dialogut dhe mund të shfaqet shpresa që ndoshta mund të arrijmë një zgjidhje të pranueshme që nëpërmjet këshilluesve tanë të fuqishëm Rusisë dhe Kinës mund t’i japim garanci Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, tha ai.

Ish ambasadori, Milovan Bozinoviq ka thënë për mediat serbe se shihet se BE-ja e vetme nuk ka ide për përfundimin e dialogut por nuk dëshiron ta pranojë se rrugëtimi i deritashëm nuk ka sjellë rezultate.

Komento: