
Siguria në Kosovë dhe bashkëpunimi me NATO-n ishin në qendër të takimeve të ndara të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, dhe kryetarit të AAK-së, Ramush Haradinaj, me admiralin amerikan George M. Wikoff, që është shef i Komandës së Forcave të Përbashkëta Aleate të NATO-s në Napoli të Italisë.
Takimet me të u zhvilluan në Prishtinë dhe Deçan.
Kurti e priti admiralin Wikoff në Zyrën e Kryeministrit, ku ishte i pranishëm edhe komandanti i KFOR-it, gjeneralmajor Özkan Ulutaş.
“Ne jemi mirënjohës për përkushtimin e NATO-s për mjedis të qetë e të sigurt për të gjithë qytetarët dhe të gjitha komunitetet, si dhe për kontributin e vazhdueshëm për paqen e qëndrueshme dhe stabilitetin afatgjatë në Republikën tonë dhe mbarë rajonin e Ballkanit Perëndimor. Me admiralin Wikoff biseduam për situatën e sigurisë dhe bashkëpunimin ndërmjet institucioneve tona dhe NATO-s”, shkroi Kurti në Facebook për këtë takim.