Kërkohet arrestimi i Jozit për sulmin ndaj Edit, Prokuroria e Pejës jep detajet e fundit

15:32 | 04 Shtator 2026

Prokuroria Themelore në Pejë ka hapur rast penal ndaj shtetasit të Shqipërisë, Joz Marku, pas sulmit fizik ndaj shtetasit të Kosovës, Edi Kuçi.

Lajmi është konfirmuar për Klan Kosovën nga zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikçi.

Sipas Prokurorisë, rasti është hapur për veprën penale “Lëndim i lehtë trupor”, ndërsa prokurori kujdestar ka vepruar me vetiniciativë.

Prokurori i Shtetit ka autorizuar Policinë e Kosovës për inicimin e rastit, si dhe ka kërkuar vendosjen e Joz Markut në stop-listë dhe ndërmarrjen e veprimeve ligjore ndaj tij.

Rasti lidhet me sulmin fizik ndaj Edi Kuçit, pamjet e të cilit janë siguruar edhe nga Klan Kosova, ku shihet Joz Marku së bashku me disa persona të tjerë duke e rrethuar dhe goditur Kuçin gjatë përleshjes.

Prokuroria ka bërë të ditur se veprimet janë ndërmarrë bazuar në dispozitat e Kodit Penal të Kosovës, të cilat mundësojnë ndjekjen e shtetasve të huaj për vepra penale të kryera jashtë territorit të Kosovës ndaj shtetasve të saj.

Komento: