Qeverisë i kërkohet të dalë me rekomandime konkrete për kursimin e energjisë.
Qeveria Kosovës duhet të dalë me rekomandime konkrete për t’i njoftuar qytetarët dhe bizneset për mënyrat se si të bëhet kursimi i energjisë elektrike, në mënyrë që një krizë e mundshme të jetë më lehtë e përballueshme thonë ekspertët e fushës.
Adhurim Haxhimusa, njohës i fushës së energjetikës, thotë se qeveria duhet të ndërmarrë masa urgjente për tejkalimin e kësaj krize. Ai propozon reduktim të përdorimit të energjisë elektrike.
“Hapi i parë të cilin mund ta bëjnë institucionet e Kosovës është reduktimi i përdorimit të energjisë elektrike, si në amvisëri, si në biznese, po ashtu edhe tek institucionet publike. Tash jemi duke shkuar drejt dimrit dhe duhet të bëhet optimizimi i ngrohjes për ata që ngrohen me energji elektrike”, tha Haxhimusa.
Çmimet e energjisë në berzat ndërkombëtare janë të larta dhe jostabile. Ndër faktorët kryesorë që kanë shkaktuar këtë janë pandemia dhe pushtimi i Ukrainës nga Rusia.
E për këtë Haxhimusa thotë se çmimi i energjisë elektrike do të vazhdojë të jetë i lartë në bursat ndërkombëtare, të paktën deri në vitin 2025.
”Çmimet për 2025 e kanë një nivel diku 300 euro për orë megavat. D.m.th. përderisa në vitin 2019, një orë megavat kushtonte 50 euro, tash po flitet që në të ardhmen, pra në vitin 2025, do të kushtojë 300 euro për orë megavat. Nuk pritet për pesë vitet e ardhshme një stabilizim i çmimeve të energjisë elektrike”, tha ai.
Ditë më parë Kompania Kosovare për Furnizim me Energji Elektrike – KESCO ka kërkuar shtrenjtimin e rrymës. KESCO ka dorëzuar në Zyrën e Rregullatorit të Energjisë –ZRE, propozimin për tarifat e reja të energjisë elektrike për dyfishim të çmimit të energjisë.
E për këtë Lulzim Syla, ekspert i energjetikës thotë se duhet jo domosdoshmërish kjo kërkesë e KESCO-s do të miratohet si e plotë nga ZRE-ja.
“Çështja është që kjo duhet të negociohet edhe nga Ministria e Financave edhe Qeverisë edhe akterëve të tjerë të ZRE-së, me qëllim të një dakordimi që dhe ngarkesa financiare të jetë e përballueshme për familjet, për bizneset por edhe të stimulohen ata që konsumojnë më pak energji elektrike.”
Kosova ka kapacitet të prodhojë rreth 800 megavat në orë, kurse nevojat e saj, në ditë dimri, arrijnë deri në 1.300 megavate në orë, i cili sigurohet nga importi. /RTK