Kërkohet paraburgim ndaj katër të dyshuarve për vrasje në tentativë dhe rrahje në Ferizaj

16:20 | 12 Gusht 2026
kerkohet-paraburgim-ndaj-kater-te-dyshuarve-per-vrasje-ne-tentative-dhe-rrahje-ne-ferizaj

Prokuroria Themelore në Ferizaj ka kërkuar nga Gjykata Themelore caktimin e masës së paraburgimit ndaj katër të pandehurve, O.A., D.A., A.A. dhe A.N., të dyshuar për veprat penale “Vrasja në tentativë”, “Lëndimi i rëndë trupor” dhe “Pjesëmarrja në rrahje”.

Sipas Prokurorisë, rasti ka ndodhur më 10 gusht 2026, rreth orës 00:15, në rrugën “12 Qershori” në Ferizaj, në afërsi të kafiterive “Dritare” dhe “0290”, pas një mosmarrëveshjeje të mëhershme mes pronarëve të kafiterive.

Prokuroria dyshon se O.A. fillimisht ka ofenduar Sh.A.-në, pas së cilës ka filluar përleshja. Sipas kërkesës për paraburgim, O.A. dyshohet se e ka goditur Sh.A.-në tri herë në qafë me një mjet të mprehtë – kaçavidë. I dëmtuari ka marrë trajtim mjekësor në Qendrën Emergjente në Ferizaj dhe më pas në QKUK në Prishtinë.

O.A. dyshohet gjithashtu se gjatë të njëjtës përleshje e ka goditur me kaçavidë në krahun e majtë dhe në pjesën e majtë të kokës të dëmtuarin A.N., duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore.

Ndërkaq, për D.A., A.A. dhe A.N., Prokuroria thotë se ekziston dyshimi i bazuar se kanë marrë pjesë në rrahje, e cila ka rezultuar me lëndim të rëndë trupor të Sh.A.-së.

Të katër të pandehurit janë ndaluar për 48 orë me vendim të Prokurorit të Shtetit dhe ndodhen nën masën e ndalimit që nga 11 gushti.

Prokuroria ka kërkuar që ndaj tyre të caktohet masa e paraburgimit, ndërsa vendimin për kërkesën e Prokurorisë pritet ta marrë Gjykata Themelore në Ferizaj./BetimipërDrejtësi/

Komento: