Kërkohet paraburgim ndaj një personi që me dokumente false tentoi shit-blerjen e një prone

17:08 | 17 October 2024
kerkohet-paraburgim-ndaj-nje-personi-qe-me-dokumente-false-tentoi-shit-blerjen-e-nje-prone

Prokuroria Themelore në Ferizaj ka kërkuar që t’i caktohet masa e paraburgimit prej 30 ditësh një personi i cili dyshohet për falsifikim të dokumenteve dhe legalizim të përmbajtjes së rreme.

Sipas Prokurorisë, gjatë tetorit në Ferizaj, i njëjti kishte përpiluar dokument të falsifikuar duke e përdorur atë për ta bërë një autorizim të falsifikuar në emër të dikujt tjetër, raporton gazeta online Reporteri.net.

Përmes këtij autorizimi fals, ai e ka autorizuar veten që të lidhë kontratë shit-blerjeje për t’ia shitur pronën e M.SH, personit tjetër me inicialet P.D.

Po ashtu, u bë e ditur se shuma e pronës ishte 50 mijë euro.

“Sipas Prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar se gjatë muajit Tetor 2024, në Ferizaj, i pandehuri ka përpiluar dokument të falsifikuar, me qëllim të shfrytëzimit të atij dokumentit si origjinal dhe duke e përdorur me dije, në atë mënyrë që ka bërë një autorizim të falsifikuar në emër të M.Sh., kinse është bërë tek noterja E.M., në Maqedoninë e Veriut, me anë të së cilës autorizon veten për të lidhur një kontratë të shit-blerjes, në mënyrë që t’ia shet pronën e paluajtshme të M.Sh., personit P.D., përmes aktit noterial në shumë prej 50,000.00 Euro, me të cilën ka kryer veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve” nga neni 390 paragrafi 1 të KPRK-së”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Me ç’rast, i pandehuri që nga 16 tetori, me vendim të Prokurorit të Shtetit, gjendet nën masën e ndalimit 48 orësh për veprat penale të lartëcekurat.

Komento: