
Prokuroria Speciale ka dorëzuar në Gjykatën Themelore në Prishtinë kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit ndaj shtatë personave të dyshuar për korrupsion.
Sipas kërkesës së PSRK-së, ekziston dyshimi i bazuar se të pandehurit M.D., J.M., F.I., B.D., Sh.T., N.K. dhe G.L., duke vepruar në bashkëkryerje, nga 20.02.2023 e në vazhdimësi deri më 18.12.2025, kanë ndërmarrë veprime me qëllim përfitimi të kundërligjshëm personal.
Sipas Prokurorisë, “M.D. dyshohet se, në emër të F.I., në kundërshtim me ligjin, ka parashtruar propozim ankesë për ndryshim të vendimit përfundimtar për shpronësimin e pronës, ndonëse ishte kaluar afati ligjor për më shumë se tetë vjet”.
“Përkundër kësaj, i pandehuri J.M., si dhe kundërpropozuesi Qeveria e Kosovës, e përfaqësuar nga Avokatura Shtetërore, nuk e kanë kundërshtuar këtë rrethanë, por janë kujdesur që ky rast, ashtu si disa raste të tjera, të përfundojë me marrëveshje gjyqësore”, u tha në njoftimin e Prokurorisë.
Si pasojë, thuhet se vetëm në rastin e fundit i është shkaktuar dëm buxhetit të shtetit mbi 220 mijë euro, ndërsa në tërësi dëmi ende nuk ka mundur të përcaktohet, por dyshohet se arrin vlerë milonëshe.
Në këtë mënyrë, të pandehurit, në bashkëkryerje dhe në vazhdimësi, dyshohet se kanë kryer veprat penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “Marrja e ryshfetit”, “Dhënia e ryshfetit”, “Ushtrimi i ndikimit” dhe “Deklarimi i rremë”.