Kërkohet përshpejtimi i ekspertizës për rastin e Astrit Deharit

16:46 | 14 Prill 2019

Po kërkohet që të përshpejtohet eksperzita për rastin e Astrit Deharit.

Ekspertiza mjeko-ligjore e cila do të zbardhë më shumë detaje rreth rastit të Astrit Deharit ende nuk është përfunduar nga ana e Qendrës Universitare të Mjekësisë Ligjore në Lozanë të Zvicrës.

Prokuroria e Prizrenit i ka dërguar kryeprokurorit Lumezi disa shkresa për përshpejtimin e lënës, por ende nuk kanë marrë përgjigje.

Prokurori Metush Biraj, ka thënë se ende s’kanë marrë përgjigje nga Kryeprokurori i Shtetit për kërkesën drejtuar lidhur me rastin Dehari.

“Ende nuk kemi asgjë të re nga hetimet. Jemi duke e pritur përgjigjen për disa kërkesa që tashmë i kemi drejtuar në kryeprokurori. Ato kanë të bëjnë me përshpejtimin e lëndës. Tash po presim në mos zyra e kryeprokurorit përgjigjet rreth kërkesës që tashmë ia kemi bërë para një muaji”, tregon Biraj.

Prokurori, tregon se rasti sa i përket prokurorisë së Prizrenit është i përfunduar.

Ndonëse raporti i Institutit të Mjekësisë Ligjore në Kosovë e ka vlerësuar si vetëvrasje, familjarët me këtë konstatim nuk u pajtuan dhe prandaj kërkuan hetim të pavarur ndërkombëtar, i cili tani po zhvillohet në Qendrën Universitare të Mjekësisë Ligjore në Lozanë të Zvicrës. Raporti atje u dërgua para një viti.

Rreth kësaj çështjeje, babai i të ndjerit Astritit, Avni Dehari kishte deklaruar se hetimet po vazhdojnë dhe se hetuesit ndërkombëtar i kanë pranuar të gjithë materialin e nevojshëm për hetim nga organet hetimore në Kosovë.

Ai thotë se deklaratat kontradiktore të prokurorëve dhe gjykatësve për humbjen e djalit të tyre, i kanë shtyrë ata që të dyshojnë edhe në raportin e Institutit të Mjekësisë Ligjore në Kosovë.

Kishte thënë se do e pranojnë juridikisht çfarëdo rezultati që vjen nga hetuesit ndërkombëtar, por shprehet i sigurt se e njëjta dorë i ka marrë dy djemtë e tyre, Arbnor dhe Astrit Deharin.

Astrit Dehari ishte aktivist i Lëvizjes Vetëvendosje, u arrestua më 30 gusht të vitit 2016, i dyshuar se bashkë me aktivistë të tjerë sulmuan Kuvendin e Kosovës.

Ai humbi jetën më 5 nëntor të po të njëjtit vit, në Qendrën e Ndalimit në Prizren, ku raporti i Institutit të Mjekësisë Ligjore rreth shkaqeve të humbjes së Astrit Deharit më 18 nëntor 2016 doli në përfundim se Dehari ia mori vetës jetën, por rezultatet e këtij raporti nuk u pranuan nga prindërit e të ndjerit.

Në tetorin e vitit të kaluar Qeveria e Kosovës me kërkesë të ministrit të Drejtësisë, Abelard Tahiri ka ndarë mjetet financiare në shumën prej 50 mijë eurove për ekspertizë shtesë jashtë vendit në lidhje me rastin e Astrit Deharit.

Komento: