Kërkohet prangosja e Ivan Teodosijeviq

16:01 | 10 April 2019

Ivan Teodosijeviq është shkarkuar dje nga pozita e ministrit në Administratën e Pushtetit Lokal pas deklaratave të tij skandaloze.

KMDLNJ-ja ka kërkuar që ish-ministri serb në Qeverinë e Kosovës, Ivan Teodosijeviq, të prangoset dhe të gjykohet për urrejtje dhe fyerje në baza etnike.

Për shkak të gjuhës që kishte përdorur për mas.akrën e Reçakut, kryeministri Haradinaj e shkarkoi menjëherë Teodosijeviqin i cili shërbente si ministër i Administratës së Pushtetit Lokal.

“Mirëpo, edhe para këtij shkarkimi, Prokuroria Speciale e Kosovës, në bazë të deklarimeve publike të I. Teodosjeviq është dashur të nis hetimet sipas detyrës zyrtare për faktin se këto deklarata nxisin urrejtje në baza etnike, fyerje në baza etnike dhe përmbajnë të dhëna të pavërteta. Shkarkimi i I. Teodosijeviq, nëse kemi për baza deklaratat e tij plot urrejtje nuk mund të konsiderohet dënim deri në kohën kur nuk do të përballet me ligjin për një vepër penale që sanksionohet sipas ligjeve në Kosovë”, thuhet në deklaratë.

KMDLNJ-ja thotë se pret nga Prokuroria Speciale e Kosovës të ndërmarrë veprime të mbështetura në ligj për shkak të nxitjes së urrejtjes në baza etnike dhe përmbajtjes së pavërtetë. “Duhet të bëhet e qartë se ka dallim midis përgjegjësisë politike dhe asaj penale. Rasti Teodosijeviq është shembull tipik i bërjes së dallimit midis këtyre dy përgjegjësive”, përfundon deklarata e KMDLNJ-së.

Komento: