Kërkohet që Kosova t’i dërgojë Shqipërisë notë proteste për Bregoviqin

20:16 | 06 August 2021

Thaçi: Institucionet e Kosovës duhet t’i dërgojnë notë proteste atyre të Shqipërisë për Bregoviqin.

Opinionisti Jusuf Thaçi ka reaguar lidhur me ftesën e këngëtarit serb Goran Bregoviq në Festivalin e Korçës nga kjo Bashki.

Thaçi, me anë të një postimi në ‘Facebook’, ka kërkuar nga institucionet kosovare të dërgojnë notë proteste ndaj atyre të Shqipërisë, derisa e ka cilësuar si fyese ftesën e Bregoviqit në Festivalin e Korçës.

“Prandaj, edhe reagimi nga Kosova në lidhje me këtë ofendim duhet të jetë institucional. Ministria e Kulturës e Kosovës duhet t’i dërgojë notë proteste Bashkisë së Korçës dhe Qeverisë së Republikës së Shqipërisë, përmes së cilës duhet të ofrojë argumentet pse kjo është fyese për shqiptarët, në radhë të parë, por edhe pse kjo është fyese për vlerat njerëzore e artistike në përgjithësi”, ka shkruar ndër të tjera ai.

Nënkryetarja e Bashkisë së Korçës, Benila Terova në një prononcim për Gazetën Express ka njoftuar se gjithçka është e mbyllur dhe Goran Bregoviq do të performojë në Festën së Birrës në Korçë.

“Ne nuk e tërheqim pjesëmarrjen e Bregoviq nga Festa e Birrës sepse refuzojmë të pozicionohemi politikisht në këtë debat. Nuk ka asnjë qasje politike pjesëmarrja e një këngëtari lindur në Sarajevë dhe që në njohurinë tonë para se ta kontaktonim për ta pasë pjesë dhe e kemi të saktë nuk ka pasur asnjë lloj pozicionimi as kundër shqiptarëve as kundër kosovarëve”, ka thënë ajo.

Postimi i plotë i Jusuf Thaçit:

I ashtu-quajturi artist, këngëtari serb Goran Bregoviç, i cili me vetëdije ka vendosur që artin t’ia vë në shërbim politikës kriminale e gjenocidiale, është ftuar në mënyrë institucionale nga Bashkia e Korçës.

Prandaj, edhe reagimi nga Kosova në lidhje me këtë ofendim duhet të jetë institucional. Ministria e Kulturës e Kosovës duhet t’i dërgojë notë proteste Bashkisë së Korçës dhe Qeverisë së Republikës së Shqipërisë, përmes së cilës duhet të ofrojë argumentet pse kjo është fyese për shqiptarët, në radhë të parë, por edhe pse kjo është fyese për vlerat njerëzore e artistike në përgjithësi. Bazuar në këto argumente, duhet të kërkojë që ftesa për këtë këngëtar të anulohet.

Kjo nuk ka nevojë të bëhet në emër të nacionalizmit, por para sës gjithash në emër të humanizmit.

Poshtë të ashtu-quajturit artistë që frymëzojnë e mbështesin politika anti-njerëzore, pavarësisht cilës përkatësi të çfarëdollojshme i përkasin!

Komento: