Kërkohet që qeveria ta trajtojë Telekomin me ligjin për falimentim

10:19 | 29 August 2020

Fati i Telekomit të Kosovës mbetet ende i pa qartë, përderisa Qeveria e Kosovës si aksionar i saj, ende nuk ka ndërmarrë asnjë veprim për trajtimin e kësaj kompanie që po konsiderohet si e falimentuar për moskryerjen e detyrimeve dhe borxheve të shumta.

Drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane, Arian Zeka ka thënë për KosovaPress, se për gjendjen e rëndë në Telekomin e Kosovës kërkohet të shfrytëzohet ligji për falimentim.

Zeka po thotë se qeveria duhet ta ndihmojë këtë kompani publike me dispozitat e këtij legjislacioni në fuqi në mënyrë që të tejkalohet kriza financiare aktuale.

“Kemi legjislacionin për insulvencë dhe bankrotim. Besoj që dispozitat e këtij legjislacioni duhet të ndihmojnë Telekomin që të tejkalojë problemet aktuale të cilat i ka. Meqenëse shteti është pronar, natyrisht duhet edhe të ndërhyjë gjithnjë duke pasur parasysh edhe kufizimet që mund të dalin nga legjislacioni për ndihmën shtetërore. Shteti duhet të ndihmojë këtë ndërmarrje për tejkalimin e problemeve aktuale dhe në të njëjtën kohë të nis sa më shpejt që të jetë e mundur procesin strukturimit, e kjo natyrisht përfshinë edhe ristruktimin e burimeve njerëzore dhe përgatitjen e kësaj ndërmarrje për privatizim”, thotë Zeka.

Ai po ashtu thekson se shteti duhet të marrë përsipër për një pjesë të përgjegjësisë në Telekom, pasi ka dështuar disa herë në procesin e privatizimit dhe në menaxhimin e saj, për t’i hapur rrugë zhvillimeve të reja.

“Tashmë jemi vonë, kemi pasur dy tentime të dështuara për privatizim dhe situata në të cilën jemi sot është dëshmia më e mirë e dështimit të institucioneve të vendit për të menaxhuar dhe për t’i hapur rrugë zhvillimeve të reja në Telekomin e Kosovës. Telekomi ka pasur nevojë për një strukturim, është folur për vite të tëra që numri i të punësuarve tejkalon kërkesën reale. Edhe kjo është njëra prej defekteve të Telekomit, pastaj aftësia e saj graduale, ndryshimet në treg që kanë ndodhur për gjatë viteve. Paaftësia e Telekomit për të kryer detyrimet e saj ndaj kreditorëve potencial”, thotë ai.

Meqenëse shteti është pronar i Telekomit, Zeka ka kërkuar që qeveria nis sa më shpejt ristrukturimin e kësaj ndërmarrje.

“Tash çfarë duhet të ndodhë që kjo të rishikohet, ndërsa ajo çka ne mund të themi është se Kosova ka legjislacionin e duhur për trajtimin e insulvencës së saj ose paaftësisë paguese. Kështu që duhet të përdoret ky legjislacion. Meqense shteti është pronar i Telekomit, edhe duhet të marrë përsipër për një pjesë të përgjegjësisë në këtë aspekt, edhe të nis sa më shpejt ristrukturimin e kësaj ndërmarrje dhe përgatitjen e kësaj ndërmarrje për procesin e privatizimit”, deklaron Zeka.

Ndërsa, rënia e të hyrave dhe krijimi i borxheve të shumta mbi 50 milionë euro, ka bërë që edhe punonjësit me vështirësi arrijnë t’i marrin pagat e tyre. Për këtë ndërmarrje janë zhvilluar disa procese gjyqësore edhe ndërkombëtare, ku detyrimet kanë arritur deri tash rreth 26 milionë euro, për të cilat edhe janë nisur procedurat përmbaruese nga kompania ‘Dardafon’.

Komento: