KESCO shpërndan faturat e rrymës në zarfe për mbi 700 mijë konsumatorë

11:45 | 28 August 2024
kesco-shperndan-faturat-e-rrymes-ne-zarfe-per-mbi-700-mije-konsumatore

KESCO njofton se po shpërndan faturat e energjisë elektrike te konsumatorëve në zarfe, ashtu siç e parasheh edhe vendimi i fundit nga Agjencia për Informim dhe Privatësi.

Me anë të një kumtese për media bëhet e ditur se ky projekt, i cili ka filluar së implementuari si pilot projekt që nga muaji maj i këtij viti në disa lokalitete në formë të pilot projektit, pastaj nga 22 qershori i këtij viti, pilot projekti u zgjerua në të gjitha distriktet në lokalite të caktuara, për të filluar me komplet konsumatorët në muajin gusht.

“Kjo formë e re e shpërndarjes së faturave pa dyshim që po has në shumë vështirësi për ta implementuar në plotni. Një nga pengesat kryesore është mungesa e kutive postare, mungesa e adresave dhe numri identifikues i shtëpive apo objekteve banesore. Këto po e vështirësojnë tej mase procesin e dorëzimit të faturave”, thuhet në kumtesën për media të KESCO-s.

Më tej theksohet se futja në zarfe e të gjitha faturave, përpos pengesave në terren, po ngadalëson edhe komplet procesin e leximit dhe faturimit.

Të gjitha këto rrethana, sipas KESCO-s, e bëjnë të domosdoshme marrjen në konsideratë të ndonjë alternative tjetër, ku esencial do të ishte bashkëpunimi ndërinstitucional që të gjendet zgjidhja sa më e mirë dhe sa më efikase, benefitet e të cilave do t’i korrnin konsumatorët fundor.

“KESCO ka mbi 700 mijë konsumatorë anekënd Kosovës, dhe çështjet operacionale, sidomos në vende rurale, e vështirësojnë edhe më tepër realizimin e këtij projekti. Kemi shqyrtuar edhe organizimin e dërgesave postare, por që nuk janë unike për të gjithë dhe nuk krijojnë mundësi veprimi për të gjithë konsumatorët fundorë”, thuhet tutje në njoftim.

Komento: