
Ishte ditë e diele. Në orët e para të 24 shtatorit rreth orës 02:43 minuta, vendi u trondit nga një sulm i një grupi terrorist në fshatin Banjskë të Zveçanit, ku si pasojë mbeti i vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, kurse zyrtari policor Alban Rashiti u plagos dhe një tjetër u lëndua.
Këshilli i Evropës ka dënuar fuqishëm këto sulme të dhunshme ndaj Policisë së Kosovës.
“Këshilli Evropian është thellësisht i shqetësuar për situatën e sigurisë në veri të Kosovës. Fuqishëm dënon sulmet e dhunshme ndaj policisë së Kosovës [që ndodhën] më 24 shtator të vitit 2023. Bashkimi Evropian pret që kryesit të kapen dhe të vihen shpejt para drejtësisë dhe që Serbia të bashkëpunojë plotësisht dhe të ndërmarrë të gjithë hapat e domosdoshëm”, thuhet në tekstin e draftit të konkluzioneve.