Këshilli i Prindërve i bën thirrje Qeverisë që pagat e mësimdhënësve të ekzekutohen

17:07 | 03 October 2022

Këshilli i Prindërve të Kosovës ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që paga e muajit shtator të ekzekutohet për mësimdhënësit.

Në një reagim në Facebook, Këshilli i Prindërve të Kosovës ka thënë se “nuk jemi dakord që ne të krijojmë një situatë edhe më të rëndë (sesa vetë greva) dhe të gjithë ata mësimdhënës të ngelen pa paga për diçka që shteti i Kosovës e ka pranuar vazhdimisht të mirëqene dhe asnjëherë nuk iu është ndaluar paga”.

“Nëse nuk mund ta bëni më mirë arsimin – së paku mos e bëni më keq!”, thuhet mes tjerash në reagimin e tyre.

Reagimi i plotë:

PAGAT E MËSIMDHËNËSVE DUHEN DHËNË

Si Këshill i Prindërve kemi avokuar, arsyetuar dhe deklaruar gjithnjë në të drejtën kushtetuese dhe njerëzore të fëmijëve tanë për përkujdesje, edukim dhe arsimim publik të pamohueshëm nga askush. Kundërshtimi ynë kryesor ndërlidhet me të drejtën monopolizuese të SBASHK për të “mbyllur” e “hapur” shkollat sipas vlerësimeve të pak individëve dhe në dëm të plotë ndaj fëmijëve e prindërve.

Por asnjëherë nuk jemi dakord që ne të krijojmë një situatë edhe më të rëndë (sesa vetë greva) dhe të gjithë ata mësimdhënës të ngelen pa paga për diçka që shteti i Kosovës e ka pranuar vazhdimisht të mirëqene dhe asnjëherë nuk iu është ndaluar paga. Grevat në arsimin e obligueshëm duhet të rregullohen me ligj dhe jo me forma të tjera “disiplinimi”.

Andaj, si Këshill i Prindërve i Kosovës i bëjmë thirrje institucioneve të Qeverisë së Kosovës të bëjnë ekzekutimin e plotë të pagave të mësimdhënësve pa vonesë.

Nëse nuk mund ta bëni më mirë arsimin – së paku mos e bëni më keq!

Na lini të kthehemi në normalitet!

Komento: