Greva në arsimin kosovar po vazhdon.
Këshilli i Prindërve paralajmëron masën ekstreme nëse nuk ndalet greva: S’do të ketë shkolla as për nxënësit e as për mësuesit
Këshilli i Prindërve i Kosovës ka paralajmëruar se do të nisin një masë ekstreme nëse vendimi për ndërprerjen e grevës nuk merret deri më 3 tetor.
“Shkurt e shqip”, është titulli i paralajmërimit të KPK-së.
“Nëse më 3 tetor nuk fillon mësimi në gjithë Kosovën, do të kërkojmë çregjistrim masiv nga shkollat dhe sistemi arsimor do të kolapsoj”, thuhet në njoftimin e fundit prindërve.
KPK shkon edhe më larg, duke paralajmëruar se më nuk do të ketë nevoja as për shkolla e as për mësimdhënës
“Nuk do të ketë më nevojë as për shkolla, as për mësimdhënës e as për institucione arsimore!”, thuhet tutje. Është e lehtë të prishësh, është kollaj të bllokosh, është e padrejtë greva në arsim!”, thuhet tutje.
“HAPINI SHKOLLAT. Kjo thirrje nuk i përjashton edhe format e tjera të shprehjes së pakënaqësisë: protesta, marshe, hyrje në shkolla!”, thuhet në fund.
Përndryshe, BSPK-ja është në një proces këshillimi me anëtarët e saj për të marrë një vendim për pezullimin e grevës. Një vendim i tillë nuk është marrë ende.
Ali Gashi nga BSPK’ja në një lidhje të drejtpërdrejtë në emisionin ‘Pressing’ në T7, sonte ka folur lidhur me mundësinë e pezullimit të grevës deri në fillim të janarit. Një vendim i tillë mund të pritet nesër, ka thënë ai.
“Jemi ka punojmë në atë drejtim. Do të jetë në diskrecion të këshillave edhe nëpër shkolla edhe nëpër institucione të tjera, që ta bëjmë komunikimin. Besoj që nesër do të duhej deri ka fundi i orarit që ta kemi një rezultat preliminar, që bazë të cilit do të informohemi ne si këshill grevist i bashkimit të sindikatave të Kosovës. Pastaj ne do të dalim me një qëndrim që do të jetë publik”, tha ai.