
Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara ka miratuar një rezolutë që dënon sulmet e Iranit ndaj vendeve të Gjirit dhe Jordanisë dhe kërkon ndërprerjen e tyre të menjëhershme.
Asnjë vend nuk votoi kundër.
Pas votimit, Ambasadori i Iranit në OKB, Amir-Saeid Iravani, iu drejtua Këshillit dhe shprehu “keqardhje të thellë” për miratimin e rezolutës. “Kjo është një ditë keqardhjeje të thellë, si për Këshillin e Sigurimit ashtu edhe për bashkësinë ndërkombëtare. Miratimi i sotëm është një goditje serioze për besueshmërinë e Këshillit dhe lë një njollë të përhershme”, tha Iravani.
“Akti i sotëm përfaqëson një abuzim të hapur të mandatit të Këshillit të Sigurimit”, tha ai, duke kritikuar ashpër Shtetet e Bashkuara për zhvillimin e një “lufte barbare kundër popullit iranian” dhe nxitjen e konfliktit, përfshirë vrasjen e udhëheqësit suprem të Iranit, Ali Khamenei.
“Kjo rezolutë është një padrejtësi e hapur ndaj vendit tim, i cili është viktima kryesore e një akti të qartë agresioni. Ajo shtrembëron realitetin në terren dhe injoron qëllimisht shkaqet rrënjësore të krizës aktuale”, tha Iravani, duke akuzuar SHBA-në dhe Izraelin se qëndrojnë pas rezolutës.
Qëndrimet e Rusisë dhe Kinës
Duke iu drejtuar Këshillit, ambasadori rus në OKB, Vassily Nebenzia, tha se vendi i tij abstenoi nga votimi për projektrezolutën “sepse ishte jashtëzakonisht e pabalancuar” dhe nuk do t’i shërbente qëllimit të “arritjes së paqes dhe sigurisë ndërkombëtare”.
“Na vjen keq për situatën në të cilën janë gjendur vendet e Lindjes së Mesme. Për më tepër, i konsiderojmë sulmet ndaj infrastrukturës civile të shteteve arabe në Gjirin Persik të papranueshme”, tha Nebenzia.
Ambasadori i Kinës në OKB, Zhang Jun, i tha Këshillit se konflikti “nuk ka as legjitimitet dhe as bazë ligjore” dhe se SHBA-të dhe Izraeli duhet të ndalojnë sulmet e tyre për të parandaluar përkeqësimin e mëtejshëm të situatës në rajon.
Këshilli i Sigurimit i OKB-së votoi gjithashtu për një projektrezolutë të propozuar nga Moska të mërkurën, duke u bërë thirrje të gjitha palëve të ndërpresin veprimet ushtarake në Lindjen e Mesme, por propozimi nuk u miratua.