Këshilltari i Departamentit amerikan të Shtetit: Zgjedhjet në veri duhet të shtyhen

21:03 | 08 December 2022

Kërkesa nga Amerika: Zgjedhjet në veri duhet të shtyhen.

Këshilltari i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, deklaron zgjedhjet për pushtetin komunal në veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe, duhet të shtyhen dhe se për këtë çështje do të diskutojë më udhëheqësit e Kosovës gjatë vizitës së tij në Prishtinë javën që vjen.

Në intervistën me Zërin e Amerikës, Chollet tha se Shtetet e Bashkuara mendojnë se “nuk është koha e duhur për zgjedhje duke pasur parasysh ndjeshmërinë e momentit dhe kemi parë dhunë në 24 orët e fundit”.

“Është kohë e tensionuar dhe duam të sigurohemi se ka kushte për të mbajtur zgjedhje të lira dhe të drejta. Kosova është demokraci shumetnike, sikurse Shtetet e Bashkuara. Ne jemi krenar me punën që Shtetet e Bashkuara kanë bërë në këto 20 e ca vjet për ngritjen e demokracisë në Kosovë dhe duam të punojmë për ta mbështetur dhe ruajtur atë. Së këndejmi mendojmë se këto zgjedhje duhet të shtyhen derisa koha të jetë e duhur dhe kur mund të mbahen pa nxitur më shumë joqëndrueshmëri dhe dhunë”, ka deklaruar ai.

Chollet tha se po zhvillohen bisedime të vazhdueshme me udhëheqësit në Prishtinë dhe ambasadori amerikan Jeff Hovenier është shumë i përfshirë.

“Unë do të jem atje javën e ardhshme dhe kjo do të jetë ndër temat kryesore në bisedimet me presidenten dhe kryeministrit derisa presim të punojmë për një rrugë të përbashkët përpara”, tha Chollet.

Zgjedhjet në veriun e Kosovës, që u shpallën pas largimit të serbëve nga institucionet e vendit mes mospajtimeve rreth përdorimit të targave të makinave janë vënë në pikëpyetje pas incidenteve të ditëve të fundit në veri. Subjekti kryesor politik i serbëve të Kosovës, Lista Serbe do t’i bojkotojë ato.

Autoritetet thanë se do të marrin vendim rreth tyre pas vlerësimeve të organeve të sigurisë në Kosovë.

Komento: