Këshilltari i Kryeministrit të Kosovës ka folur për veprimet e fundit të Presidenti të Kosovës dhe Kryeparlamentarit.
Ai ka thënë se nëse janë të vërteta se Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli kanë vazhduar ta sulmojnë Kryeministrin edhe në prani të Zëvendësndihmës Sekretarit Amerikan, David Hale, atëherë i kanë bërë dëm Kosovës.
“Nëse këto pohime janë të vërteta atëherë janë për keqardhje”, ka thënë Arifi.
“Sepse takimet e nivelit të tillë, çfarë ishte me z. Hale, do të duhej të ishte krejt e kundërta. e tilla me z. Hale me përdorë me sulmu njëri- tjetrin nuk i shërbejnë as tejkalimit të situatës dhe as zgjidhjes së saj. Duke sulmuar z. Haradinaj në prani të amerikanëve nuk i kanë ndihmuar as Kosovës, as partive dhe as një shqiptari”, ka shtuar Arifi.
Edhe Zëvendësministri i Mbrojtjes, Burim Ramadani, ka thënë se praktikat e tilla të konfrontimeve të brendshme janë të patolerueshme dhe të gabueshme.
“Unë nuk e di nëse kjo ka ndodhur edhe herën e fundit, por mund të them se është krijuar njëlloj praktike tepër e gabueshme të flitet keq ndaj njerëzve të Kosovës në diskutimet me partnerët ndërkombëtarë, në vend se të qartësohet se kushtëzimet e Serbisë janë tëpapranueshme dhe të patolerueshme”, ka thënë Ramadani.
Ai ka thënë se presioni mbi Kryeministrin nuk është mbi Ramush Haradinajn por mbi Kosovën.
“… Sepse, ky nuk është asnjëlloj presioni ndaj Kryeministrit si individ, por ndaj Kosovës si shtet. Kushtëzimet e Vuçiqit janë edhe të padrejta, edhe kushtëzime politikisht agresore. Pra, kjo është axhendë e gabuar. Është grackë të cilës askush nuk duhet t’i shërbejë. Vuçiqi ka kohë që flet në fjalorin e njëjtë me Millosheviqin. Pëŕ më tepër, një argument është i padiskutueshëm: xhelati (Serbia) po i thotë viktimës (Kosovës) që të përmbush kushte për të pasur nderin që të ulet në tavolinë me xhelatin. Kjo është edhe teprim, edhe e papranueshme. Si mundet që Kosova të thyejë këmbët duke vrapuar për të plotësuar kushtet e Serbisë?”, ka shtuar Ramadani.
“Kushtëzimi i dialogut nuk është pranuar kurrë që nga viti 1998. Kjo është hera e parë. Prandaj, kjo duhet të thuhet me zë të lartë. Në këtë argumentim, të gjithë duhet të jemi njëzëri”, ka deklaruar ai.
Gazeta Express ka raportuar mbrëmë se Presidenti Thaçi dhe Kryeparlamentari Veseli në takimin që kishin pasur të shtunën në mëngjes me nënsekretarin e shtetit amerikan, David Hale, nuk janë kursyer me sulme direkte ndaj kryeministrit Haradinaj, i cili ishte gjithashtu prezent në takim.
Gazeta Express ka kuptuar që në takimin e sotshëm në mëngjes, me zyrtarin e lartë amerikan, sulmet ndaj Haradinajt i ka filluar Presidenti Thaci, duke thënë, në mes tjerash, që taksa e Haradinajt po e bllokon dialogun, por jo edhe mallrat serbe, të cilat sipas Thacit po futën kontrabandë në Kosovë.
Haradinaj në këtë takim, mëson Gazeta Express, ia ka konfirmuar z. Hale qëndrimin e mëhershëm të tij që taksa nuk do të hiqet, për sa kohë ai është kryeministër dhe për sa kohë Serbia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës. Qëndrimet e diplomatit të lartë amerikan, në këtë takim, mësohet që kanë qënë shumë të matura. Aty nuk është përdorur, nga ai, ndonjë gjuhë agresive, sic ka qënë rasti në vizitën e para disa ditëve të dy ish zyrtarëve amerikanë të Këshillit për Siguri Kombëtare.
Befasues në këtë takim të sotshëm thuhet të këtë qenë qëndrimi jashtëzakonisht i ashpër i Veselit ndaj Haradinajt. Express mëson që Veseli e ka akuzuar Haradinajn se po bën fushatë zgjedhore me taksën. Nga ana e tij Haradinaj, sipas burimeve të Gazetës Express, i ka thënë diplomatit amerikanë se në këto takime të përbashkëta ai po merr pjesë në shenjë të respektit ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës, e jo për t’u ulur së bashku me dy udhëheqësit e tjerë të Kosovës.
Kjo duket të jetë pika më e ulët e raporteve në mes të Thacit dhe Veselit në njërën anë dhe Haradinajt në anën tjetër. Tashmë nuk ka asnjë dyshim që dyshja Veseli – Thaci janë të koordinuar jashtëzakonisht mirë për t’u marrë me Haradinajn, si brenda edhe jashtë Kosovës. Është e pamundur të imagjinohet se si do të reflektohen këto qëndrime në zhvillimet e brendshme politike në vendin tonë. Thaci dhe Veseli ose do të duhet ta kapërdijnë kokëfortësinë e Haradinajt lidhur me taksën, ose të provojnë rrëzimin e tij për ta cuar vendin në zgjedhje, ose një riformatim të qeverisë.
Gjatë fillimit të javës që po futemi në vendin tonë do të vijnë për një vizitë edhe dy këshilltarë për politikë të jashtme të Angela Merkelit, kurse fill pas tyre në Prishtinë do të qëndrojë edhe drejtori politik në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar. Nëse as gjatë kësaj jave gjërat nuk qartësohen atëherë ka mundësi që Kosova do të zhytet në një krizë të thellë të brendshme.