Këshilltari i Pacollit mori pagë sa të një ambasadori, vetëm dy muaj pasi u emërua

20:19 | 23 May 2019

Dy muaj pasi u bë këshilltar i Pacollit, Amir Ahmeti mori pagë sa të një ambasadori

Pas dy muajsh prej se ishte rekrutuar si këshilltar politik i ministrit të Punëve të Jashtme, Amir Ahmeti ka siguruar pagë sa të një ambasadori.

Ahmeti, siç ka raportuar Koha Ditore, ishte angazhuar si këshilltar i ministrit Behgjet Pacolli në nëntor të 2017-s, por më 10 janar të vitit 2018, me një vendim të Pacollit, u emërua “i ngarkuar me punë i përkohshëm”, me qëllim të themelimit të misionit diplomatik të Kosovës në Emiratet e Bashkuara Arabe.

Meqenëse një pozitë e tillë nuk ekziston, MPJ ka thënë për KTV-në se puna e Ahmetit ka qenë e njëjtë sikur e një ministri këshilltar, që është gradë diplomatike.

Prej se është ngarkuar me këtë punë, Ahmeti ka marrë 2,870 euro pagë mujore.

Sipas vendimit, funksionin e ri duhej ta mbante deri në emërimin e ambasadorit në Emiratet e Bashkuar dhe pas kësaj t’i rikthehet funksionit të tij në MPJ.

Por, me t’u zgjedhur Avni Arifi ambasador, ministri Pacolli është përkujdesur që Ahmetit të mos i cenohet as paga e as funksioni.

Me një vendim të ri të shkurtit të këtij viti, Pacolli e ka emëruar Ahmetin të ngarkuar me punë dhe shef të Misionit Diplomatik të Republikës së Kosovës në Katar .

Ky mision ende nuk ekziston, por në një përgjigje të MPJ-së, është thënë se Ahmeti e ka gati ta finalizojë themelimin e tij.

Në përgjigjen e shkruar të Zyrës për informim të MPJ-së, shtohet se Ahmeti asnjëherë nuk e ka marrë pagën e këshilltarit.

“Ahmeti, në bazë të vendimit të parë, ka filluar punën në misionin tonë në Emiratet e Bashkuara Arabe menjëherë dhe asnjëherë nuk ka qëndruar në Kosovë dhe nuk e ka marrë pagën e këshilltarit. Ky është një gabim në interpretim dhe keqinformim. Z. Ahmeti ka qenë më herët këshilltar i ministrit Pacolli, para se të emërohej i ngarkuar me punë për themelim dhe funksionalizim të misionit në EBA. Tani, në vitin 2019, pasi ka përfunduar misionin në EBA, Ahmeti është emëruar i ngarkuar me punë në Katar, me qëllim të themelimit të misionit, po ashtu”, thuhet në një përgjigje nga divizioni për Komunikim publik në MPJ.

Ministria e Punëve të Jashtme i ka arsyetuar këto ndryshime vendimesh me faktin se Amir Ahmeti ka pasur post të barasvlershëm me atë të ministrit-këshilltar dhe se ai, që nga fillimi i 2018-s, e ka ushtruar funksionin jashtë Kosovës, fillimisht në Abu Dhabi e pastaj në Katar.

Sipas vendimit, kohëzgjatja e mandatit të Ahmeti në Katar, në ambasadën që ende nuk është finalizuar, është deri në emërimin e shefit të Misionit Diplomatik të Kosovës në këtë vend.

Komento: