Me 29 prill në Berlin do të mbahet takimi ku temë kryesore do të jenë raportet Kosovë – Serbi.
Samiti i Berlinit që mbahet më 29 prill, pritet të mbledhë në një takim joformal liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor për të diskutuar projektet e përbashkëta zhvillimore të mbështetura nga Gjermania dhe vendet e Bashkimit Evropian. Ai takim, do t’i bëj bashkë edhe udhëheqësit e Serbisë dhe Kosovës të cilët kanë ndërprerë komunikimin që prej nëntorit të vitit të kaluar. Njëherësh, ky samit shënon edhe prezantimin e parë të përbashkët të Kosovës në një organizim ndërkombëtar, nga ana e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryeministrit Ramush Haradinaj.
Të dy udhëheqësit e institucioneve të larta shtetërore ndajnë qëndrimet të ndryshme për çështjet që lidhen më dialogun me Serbinë, qoftë për idenë për ndryshimin e kufijve, apo edhe në lidhje me pezullimin apo jo të taksës doganore të cilën Qeveria e Koosvës, kryesuar nga Haradinaj e ka vendosur ndaj importeve nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina. Kjo taksë, po shihet edhe si pengesë për vazhdimin e dialogut politik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të lehtësuar nga Bashkimi Evropian.
Presidenti Thaçi mbështet idenë e ndryshimit të mundshëm të kufijve dhe heqjen e tarifës për mallrat serbe, ndërkaq kryeministri Haradinaj ka qëndrime të kundërta për të dyja këto çështje.
“Kosova atje nuk shkon për të bërë spektakël mirëpo për tu paraqitur si një shtet serioz dhe i gatshëm për të marrë përgjegjësitë që na takojnë në kuadër të forcimit të paqes dhe stabilitetit në rajon, një shtet dinjitoz i cili nuk bën kompromis me asgjë kur është në pyetje interesi i vet shtetëror”, tha për Radion Evropa e Lirë, Bekim Çollaku, këshilltar i presidentit Hashim Thaçi.
Sipas tij, delegacionin e Kosovës në këtë takim joformal do ta udhëheqë presidenti Thaçi në bazë të kompetencave kushtetuese si kreu i shtetit, ndërsa qëndrimet do të jenë të harmonizuara në emër të gjitha institucioneve të Kosovës. Në pyetjen nëse presidenti Thaçi dhe kryeministri Haradinaj do të takohen para forumit të Berlinit, Çollaku tha se ka pasur takime ndërmjet tyre por mund të ketë edhe të premten ose në Berlin para se të fillojë samiti.
“Qëndrimet janë të qarta dhe ato janë publike dhe transparente edhe për qytetarët e Kosovës. Kosova shkon në Berlin për t’iu bërë të qartë edhe nikoqirëve dhe shteteve fqinje që marrin pjesë që është shtet i pavarur dhe sovran dhe që perspektiva e jonë euroatlantike nuk ka alternativë si dhe që liberalizimi i vizave duhet të ndodhë pa vonesa të mëtutjeshme”, thotë Çollaku.
I pyetur nëse presidenti Thaçi ende mbështet idenë e korrigjimit të kufijve, Çollaku tha se presidenti “ka qëndrim të qartë se Serbia duhet ta njohë Kosovën pa asnjë kusht dhe kompromis”.
“Natyrisht, ne e kemi për detyrë të bëjmë çmos që aspiratat e shqiptarëve që jetojnë në Luginën e Preshevës t’i bëjmë realitet”, tha Çollaku.
Edhe kryeministri Ramush Haradinaj ka thënë të premten në një konferencë për media se Samiti i Berlinit, që do të mbahet më 29 prill, është një takim multilateral ku do të diskutohen çështje të ndryshme. Ai tha se qëndrimet që i ka Qeveria e Kosovës nuk janë qëndrime vetëm të kryeministrit por, siç tha ai janë qëndrime të Kosovës. Ai shprehi bindjen se nuk do të ketë shpërputhje mes qëndrimeve të presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe tij.
Nikoqirë të takimit joformal në Berlin janë kancelarja gjermane, Angela Merkel, si dhe presidenti francez, Emmanuel Macron.
Në këtë samit është thënë se mund të diskutohet për taksën e Kosovës ndaj importeve të Serbisë, të cilën autoritetet serbe e kanë përmendur si arsye për mosvazhdim të dialogut me Kosovën.