Kështu do t’u ndihmojë qeveria gjermane të prekurve nga përmbytjet

13:29 | 18 July 2021

Zëvendëskancelari gjerman dhe ministri i Financave, Olaf Scholz ka premtuar një ndihmë në vlerë prej mbi 300 milionë eurosh për të prekurit e përmbytjeve katastrofike që goditën pjesët perëndimore të Gjermanisë në mes të javës.

“Më shumë se 300 milionë euro nevojiten pas përmbytjeve deri më tani. Dhe tani sigurisht që do të jenë të nevojshme edhe më shumë”, i tha Scholz gazetës gjermane, Bild.

Përveç ndihmës emergjente për të prekurit, Scholz, i cili është gjithashtu një kandidat i socialdemokratëve për kancelar në zgjedhjet e ardhshme të shtatorit, njoftoi se ndihma afatgjatë për rajonin e prekur do të diskutohet në një seancë të rregullt të qeverisë të mërkurën e javës së ardhshme.

“Rrugët dhe urat duhet të rregullohen shpejt”

“Të mërkurën, unë do të propozoj një paketë ndihme që sigurisht do të arrijë në mbi një miliard euro. Na duhet një përpjekje në nivelin kombëtar: ai që humbi dyqanin ose shtëpinë e tij sigurisht nuk mund t’i mbulojë të gjitha dëmet i vetëm. Kjo është arsyeja pse ne si shtet duhet të sigurojmë ndihmë emergjente për ata që preken pa pengesa burokratike”, tha Scholz.

Ai njoftoi se ndihma e parë do të paguhet tash gjatë korrikut dhe se ndihma për rindërtim do të jepej gjatë vitit.

“Rrugët dhe urat duhet të riparohen shpejt”, theksoi ai.

Ministri i Ekonomisë Peter Altmaier u premtoi sipërmarrësve në zonat e prekura një ndihmë të njëhershme prej 10,000 eurosh secilit.

Qeveria kishte njoftuar më parë se mund t’i plotësonte nevojat e të prekurve edhe në formën e lehtësimeve tatimore. Numri i të vdekurve u rrit në 156 në zonat e prekura, ku reshjet e mëdha të shiut bënë që lumenjtë të mbusheshin e të dilnin jashtë shtratit.

Komento: