Policia e Kosovës ka bërë publike fletëqortimin që do të marrin vozitësit e automjeteve me targat ilegale “PR”, “KM”, “PZ”, “GL”, “UR”, “PE”, “DA” apo “ĐA”.
Sipas Policisë, në rastin e shqiptimit të masës qortuese, nga vozitësit do të kërkohet që të njëjtit të drejtohen në Qendrën e Regjistrimit të Automjeteve për të regjistruar mjetet e tyre me targa RKS.
Fletë qortimet, sipas Policisë do të aplikohet nga zyrtarët policorë në gjithë territorin e Kosovës, përfshirë edhe në pikat e kalimit kufitar.
Me të shënuar ora 00:00 kanë hyrë në fuqi masat e reja të vendosura nga Qeveria e Kosovës për targat ilegale që ende qarkullojnë në disa pjesë të Republikës së Kosovës.
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka ftuar edhe njëherë qytetarët që posedojnë mjetet me targa ilegale t’i regjistrojnë me ato shtetërore RKS, derisa ka thënë se sipas vendimit ka nisur shqiptimi i masës së qortimit.
“Sot, Policia e Kosovës, në përputhje me vendimin e ri të Qeverisë dhe legjislacionin në fuqi, për të gjithë pronarët e mjeteve që qarkullojnë me targa ilegale, fillon shqiptimin e masës së qortimit, me kërkesën që të njëjtit të drejtohen në cilëndo nga Qendrat e Regjistrimit të Automjeteve për të regjistruar mjetet e tyre me targa RKS”, ka shkruar Sveçla në Facebook, menjëherë pasi në kalendar ka shënuar data 1 nëntor.
Ai ka ftuar qytetarët që posedojnë targa ilegale “PR”, “KM”, “PZ”, “GL”, “UR”, “PE”, “DA” apo“ĐA” nga 10 qershori i vitit 1999 deri më datë 21 prill 2022, që të regjistrojnë mjetet e tyre me targa RKS.
“Dhe kështu të përmbyllim me sukses këtë proces që kontribuon drejtpërdrejtë në sigurinë publike, sigurinë në trafik dhe kthimin e ligjshmërisë në vend”, ka shkruar tutje ministri i Punëve të Brendshme.
Sveçla ka inkurajuar qytetarët që të mos mbesin peng të grupeve kriminale, por të shfrytëzojnë lehtësirat për t’i regjistruar mjetet e tyre sipas lehtësirave të mundësuara nga institucionet.
“Inkurajoj qytetarët që të mos mbesin peng të interesave politike dhe grupeve kriminale, por të shfrytëzojnë të gjitha lehtësirat dhe të regjistrojnë mjetet e tyre në të gjitha Qendrat e Regjistrimit, pa marrë parasysh vendbanimin apo vendqëndrimin”.
Sveçla ka shkruar tutje se Qeveria e Republikës së Kosovës është e përkushtuar të ofrojë siguri dhe sundim të ligjit në gjithë vendin dhe për të gjithë qytetarët e saj pa dallim.